Gjykata Kushtetuese ka hapur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal, me të cilin nga burgu janë shpëtuar ish-funksionarët, kryesisht ata të ndjekur nga Prokuroria Speciale. Me këtë vendim, gjykata i ka dhënë Kuvendit afat prej gjashtë muajsh për të ndërhyrë në ligj. Në rast se Kuvendi nuk e bën këtë, Gjykata kushtetuese do të vendosë për anulimin ose shfuqizimin e tij.
Darco Kostadinovski, kryetar i gjykatës Kushtetuese
“Kemi vendosur t’i japim Kuvendit një mundësi prej 6 muajsh për t’u pajtuar me qëndrimet tona për ndryshimet në Kodin Penal. Në rast se ata nuk e bëjnë këtë, do të pasojë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për anulimin ose shfuqizimin e tij”.
Kuvendi duhet të kishte pasur kujdes kur ka krijuar politikën e dënimit, tha Kostadinovski, duke shtuar se ky ligj ka shkaktuar dëme të pariparueshme në rendin juridik të krijuar mbi Kushtetutën tonë dhe të gjitha vlerat për të cilat është e angazhuar kushtetuta.
Ai theksoi se sido që të jetë vendimi, disa nga gjërat nuk mund të kthehen pas.
Gjykatësja, Elizabeta Dukovska, mendonte se Gjykata kushtetuese nuk duhet të fillonte procedurë, por, shumica e kolegëve të saj nuk ishin të atij mendimi.
Ndërkaq, gjykatësi Osman Kadriu tha se pasojat e këtij ligji janë të thella dhe të dëmshme për shtetin dhe qytetarët. “Me të jepet një amnisti e fshehur. Në sistemin juridik të shtetit është realizuar një anarki juridike”, theksoi gjykatësi kushtetues Osman Kadriu.
Me ndryshimet, u vjetërsuan lëndët ndaj ish-kryeministrit Nikola Gruevski, ish-ministrave Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, si dhe ish-drejtori t të DSK-së, Sasho Mijalkov dhe të tjerë. Paraqitës i iniciativës në shtator 2023 ishte Pavle Trajanov.
/SHENJA/