Alsat 2019-06-27T15:49:03+02:00
Për herë të parë me pranga në duar, Nikolla Gruevski u dërgua në gjykatë, por në Hungari. Ndonëse kundër tij vendi ka disa aktakuza, asnjëherë në gjykatë nuk është paraqitur me duar të lidhura. Gruevski sot i shoqëruar nga policia është sjellë në gjykatën në Budapest ku po shqyrtohej kërkesa që ai të ekstradohet në vend. U paraqit i veshur me këmishë të bardhë, me kapele në kokë dhe me syzet e shtrenjta “majbah” të cilat nuk i ka nxjerrë as në gjykatë. Pallton e kishte mbi duar për të fshehur se ka pranga.
Me kërkesë të ish-kryeministrit, gjykatësja e përjashtoi opinionin dhe kolegët kureshtar hungarez mbetën para derës së gjykatës. Gjykata mori vendim të shpejtë – Gruevski nuk do të dorëzohet, ndonëse Ministria jonë e Drejtësisë e kërkon si organizator të 27 prillit, ndërsa në mënyrë taksative te kërkesat kanë përmendur se tashmë është i dënuar me dy vite burgim, ndërsa kundër tij ka procese aktive gjyqësore. Gjykata në Hungari bëri të ditur se nuk mund të ekstradojë një person që tashmë ka marrë statusin e refugjatit dhe i është aprovuar azil për shkak të përndjekjes politike në Maqedoninë e Veriut. Pasi edhe zyrtarisht Gruevski u lirua dhe iu shmang gazetarëve, shkroi status në Fejsbuk.
Sot është zbatuar procedurë standarde e institucioneve në Hungari, pasi Qeveria kriminele dhe zhvatëse në Maqedoni parashtroi kërkesë për ekstradim. Gjykata e shqyrtoi kërkesën për ekstradim dhe vendosi që të mos e pranojë- deklaroi ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
Nikolla Gruevski u arratis nga vendi para shtatë muajve. Tani për tani askush nuk e di se si është arratisur, kush i ka ndihmuar dhe kë e ka pasur logjistikë. E vetmja gjë që është vërtetuar është se përmes Shqipërisë me makinë diplomatike të Hungarisë, përmes Malit të Zi dhe Serbisë, ka mbërritur në Hungari. Kërkoi azil, e mori në mënyrë të shpejtë. Se si është arratisur Gruevski vetëm mund të supozohet, ndërsa kryeministri Zoran Zaev para do kohë deklaroi se ai është arratisur që të mos shkojë në burg i fshehur në bagazh. Dhe përderisa prokuroria është duke hetuar se si e ka braktisur vendin, Gruevski është aktiv në Budapest. Shpesh është në takime me ministrin e atjeshëm të Jashtëm i cili i konfirmoi takimet në të cilat Gruevski e ka informuar për situatat në Ballkanin Perëndimor.
Bojan Stojanovski
Loading…


