Misteri i zhdukjes së tre fëmijëve në periudhën mars- prill në vitin 2010, dhe humbja e gjurmëve të tyre për tanimë shtatë vite, ishte tema e emisionit të mbrëmshëm “Gjurmë”, që u transmetua në Televizionin Shenja.
Mitat Ibrahimi, Dane Memedi dhe Mirsada Helldoviq, janë këto fëmijët të cilët në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, figurojnë në kategorinë e njerëzve të zhdukur.
Mitat Ibrahimi në moshën shtatëvjeçare, konkretish më datë 19 mars të vitit 2010, për herë të fundit është parë kur është kthyer nga shkolla, ka lënë çantën në shtëpi dhe I veshur me pantallona të kaltërta, një bluzë të gjelbër dhe një palë çizme ngjyrë kafeje, është nisur për në fushë për të takuar prindërit e tij që po punonin. Përpjekjet e shumëta të familjarëve për gjetjen e të dashurit të tyre, përfunduan pa rezultate, duke lënë këtë familje me sytë kah dera, duke pritur që ai një ditë të kthehet.
“Fëmiju kur është humbur ne e kemi kërkuar në të gjitha anët dhe nuk kemi arritur ta gjejmë. U zgjua I tërë fshati Konjare e poshtme, e kemi kërkuar nga të gjitha anët, nuk ka as edhe një gjurmë të vetme. Ose trupi I vdekur ose diçka e ngjashme. Ne e kemi kërkuar lumen tonë ‘Pçinje’ nga Velesi e deri në Kumanovë, nuk e gjetëm askund…”, deklaroi Qazim Ibrahimi, xhaxhai i Mitatit.
Fëmiu tjetër pesëvjeçar, me emrin Dane Memedi nga Kumanova, është zhdukur në rrethana të panjohura më 27 mars të vitit 2010. Gjyshja e tij me dhimbje të thellë dhe e habitur se dikush po pyeste për nipin e saj tanimë pas shtatë vitesh, rrëfente për momentet e fundit që ndau me nipin, dhe për dhimbjen që u është shkaktuar atyre pas humbjes së tij.
“Po menjëherë e paraqitëm, erdhi policia për ta kërkuar mos ndoshta do të jetë afër lumit, sepse ato dyshuan mos ndoshta ai ka rënë në lum. Nuk është e vërtetë, edhe ne nuk besojmë. Mos është diku në Itali. I kidnapuar (i rrëmbyer) apo i copëtuar,një Zot e di.”, deklaroi gjyshja e tij.
Mirsada Helldoviq, është fëmiu tjetër i zhdukur gjatë kësaj periudhe, gjegjësisht me 12 prill të vitit 2010. Për shkak se adresa e familjes Heldoviq, e cila figuron tek të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk e konkretizon numrin e banesës ku jetojnë ata, ne e kishim të pamundur që të gjejmë ndonjë gjurmë të kësaj familjeje. Ndërkaq, nga Ministria e punëve të brendshme thonë se akoma po vazhdojnë kërkimet për këto fëmijë, ndërsa aktualisht nuk ka informata të reja në lidhje me këto raste.
“Tre fëmijët që janë paraqitur si të zhdukur e që janë postuar në faqen e internetit të MPB-së, akoma po kërkohen. Është lëshuar një njoftim ndërkombëtar dhe aktualisht nuk ka informata të reja”, kanë thënë nga MPB.
Nga MPB thonë se që nga viti 2010 e deri më sot, janë paraqitur më shumë fëmijë të zhdukur, port ë njëjtit janë gjetur dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre.