19 September
Reformat në Drejtorinë e Sigurisë dhe Kundërzbulimit shënojnë ngecje. Edhe pse Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e punës së DSK-së dhe Agjencia e inteligjencës, tashmë i emëroi Trajçe Dimkovin nga VMRO-DPMNE dhe Frosina Remenskën nga LSDM si pjesë e grupit për reforma në sistemin e ndjekjes së komunikimeve, pjesë e këtij trupi nuk mund të bëhet edhe Ejup Alimi nga BDI-ja. Ky i fundit nuk mund të marrë certifikatë sigurie pasi akuzohet në rastin “Titanik” të Prokurorisë Speciale për parregullsi zgjedhore. Për ish-kryeshefin e policisë Lubomir Gjurçevski kjo është e papranueshme.
Për mua është absurde nëse një deputet është emëruar dhe vendos për të gjitha këto çështje të mos mund të marrë certifikatë sigurie për procedurën e cila tashmë është ngritur, e nga ana tjetër nuk i kemi marrë certifikatat e sigurisë që paraprakisht ua kemi dhënë atyre deputetëve ndaj të cilëve ndërkohë është ngritur procedurë penale, apo çfarëdo procedure tjetër- deklaroi Lubomir Gjurçevski, ish-kryeshef i MPB-së.
Rreth planit për formimin e Qendrës operative-teknike ku do të derdheshin të gjitha të dhënat kriminalistike dhe kundërzbuluese nga më shumë institucione, Gjurçevski doli me qëndrim:
Kjo bazë duhej të pozicionohet në Prokurorinë Publike, që do të thotë se kjo është pjesë e kompetencave që dalin nga Ligji për procedurë penale dhe masat e posaçme hetimore duhet të zhvillohen nën mbikëqyrjen rigoroze të Prokurorisë- theksoi Lubomir Gjurçevski.
Në serinë e vërejtjeve për mos-ndryshimin e gjendjes në funksionimin e DSK-së, juristi gjerman Rajnhard Pribe në raportin e tij ka nënvizuar edhe se ende është e hapur mundësia për përgjim nga cilado qendër e paligjshme, individ ose strukturë. Gjithashtu përmendet se ky institucion doemos të punojë në ndryshimin e mentalitetit të punonjësve dhe në kulturën e tyre të punës.
Alsat M

