Këmbëngulja në mohimin dhe injorimin e Kushtetutës sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare në nivel të gjithë shtetit, mbetet një instrument i qëndrueshëm në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “narrativës patriotike”. Pothuajse në nivel të një “mantra inicimi”, ku për t’u pranuar në “rrethin e patriotëve të përshtatshëm” – tema e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të jetë në përputhje me vijën e kuqe të imponuar – gjuha maqedonase është gjuha “kryesore” zyrtare, ndërsa gjuha shqipe është “dytësore”. Sipas nevojës dhe me leje, nëse dikujt i duhet përkthim. Si një analogji e qartë për atë se kush duhet të jetë etnikisht “kryesori dhe superiori”.
Ky “interpretim dhe zbatim unik dhe fleksibil i Kushtetutës”, që në thelb është një shkelje klasike, zhvillohet paralelisht me një tjetër injorim po aq unik dhe fleksibil të Kushtetutës, e që është “kujdesi për bashkëkombësit” në vendet fqinje, i rregulluar qartë në nenin 49 të Kushtetutës, i cili është një nga përcaktimet themelore edhe të Marrëveshjes së Përkohshme dhe të Marrëveshjes së Prespës, ku shprehimisht thuhet se “republika nuk do të ndërhyjë në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme”.
Dhe pikërisht këto dy procese, në mënyrë të sinkronizuar dhe unison, “e mbushin” boshllëkun tashmë prej katër vitesh, të mosrealizimit të obligimeve të marra nga korniza negociuese për ndryshimet kushtetuese dhe fillimin efektiv të negociatave me BE-në, duke ruajtur një situatë status quo në kushte jashtëzakonisht të pasigurta rajonale dhe gjeopolitike. Një përkufizim i patriotizmit.
Dhe njëkohësisht një mister i vërtetë se si nga “Evropën dhe BE-në do ta sjellim në shtëpi” arritëm te “ndalimi i gjuhës shqipe” dhe “supremacia e tanëve” mbi interesat personale dhe kolektive të qytetarëve për të cilat ekziston edhe Kushtetuta që po suspendohet dhe shteti që “mbrohet”.
Por, a është në fakt kjo instrumentalizim i ngurtë i gjuhës shqipe, dhe përmes saj i të gjithë shqiptarëve, përdorimi i lirë dhe i plotë i të cilëve mbrohet nga Kushtetuta, vetëm një plotësim i instrumentalizimit të gjuhës maqedonase “dhe luftës për mbrojtjen e saj”, dhe përmes saj i të gjithë maqedonasve, përmes bllokimit të integrimit në BE; për të monopolizuar “etniken” dhe formalizimin e saj të zhveshur? Dhe a paraqitet kjo si “drejtësi dhe barazi”, si sundim i ligjit dhe funksionalitet i institucioneve? Me institucione “model” për “sundimin e ligjit” (gjykata kushtetuese) dhe veprim “model” për “luftën për drejtësi” (tanët)?
Fakti që si njëra ashtu edhe tjetra janë në kundërshtim dhe përplasje me Kushtetutën, si bazë thelbësore e institucionalitetit, është kontradikta e absurdit, ndoshta edhe si një armiqësi (e vetëdijshme apo jo) ndaj thelbit të multietnicitetit dhe multikulturalizmit të shoqërisë dhe shtetit, natyrshëm të orientuar drejt BE-së dhe Evropës si postulate demokratike dhe civilizuese; por edhe si një përpjekje (e vetëdijshme apo jo) përmes delegjitimimit të Kushtetutës që të monopolizohet (dhe disiplinohet) pikërisht ky thelb. Të “monopolizohet dhe disiplinohet” shoqëria, etnikja, e bashkë me të edhe e tashmja dhe e ardhmja.
Së fundmi, Arkivi Shtetëror publikoi dokumentin origjinal të “Deklaratës për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë si shtet sovran dhe i pavarur” të 17 dhjetorit 1991, në të cilën, ndër të tjera, “… i pranon kriteret dhe i përmbush kushtet e miratuara nga Këshilli i Ministrave të Komunitetit Evropian …”; me çka, de-facto dhe në thelb, që në fillim shteti përcaktohet për anëtarësim të ardhshëm dhe përkatësi ndaj BE-së dhe Evropës. Atëherë, cila është ajo gjuhë e “moskuptimit (paarsyeshmërisë)” që vazhdimisht përhapet si narrativë dhe veprim, në kundërshtim me vullnetin, thelbin dhe interesat e qytetarëve?
Shteti mbështetet mbi institucionet, ligjet mbështeten mbi Kushtetutën, ndërsa qytetarët mbi përkatësinë e tyre etnike dhe kulturore, mbi të drejtat dhe nevojat. Të gjithë mbështetemi në detyrimin për të qenë në bashkëlidhje dhe respekt, e jo të ekspozuar ndaj supremacisë dhe mohimit.
Të gjithë jemi të obliguar ndaj dijes, e jo ndaj keqpërdorimit të saj. Dhe të gjithë jemi të orientuar drejt vendit dhe shtetit, drejt shoqërisë që duhet ta normalizojmë. Dhe kjo nuk duhet të jetë as e pakuptuar, as e pashpjegueshme. Identifikimi dhe përkatësia janë procese që kultivohen, e jo urdhra që imponohen. Sepse duhet të jenë thelbësore, e jo formale.


