Sezoni i gjuetisë së derrit të egër në territorin e Dibrës është pritur me shumë interes nga gjuetarët të Komunave Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë, por edhe nga gjuetarë të qyteteve të tjera të vendit. Por, këtë sezon të gjuetisë janë duke e shfrytëzuar edhe gjuetarë nga Republika e Shqipërisë, si dhe mërgimtarë nga SHBA dhe shtetas të Italisë dhe Spanjës. Të dhënat e dy koncesionerëve, të cilët mbulojnë rajonin më të gjerë të Dibrës, thonë se edhe këtë sezon interesimi i gjuetarëve për gjuajtjen e derrit të egër është shumë i madh. Bëhet fjalë për gjuetarë, të cilët paraprakisht kanë marrë leje për gjuajtje në lokalitetet që mbulohen nga koncesionerët.
Në bisedën që patëm me koncesionerin Lulzim Lela, u informuam se ky koncesioner mbulon tërësisht gjuetinë në lokalitetin Bomovë dhe më gjerë në rajonin e Dibrës, ndërsa tha se sezoni i gjuetisë të derrit të egër filloi më 1 tetor dhe do të përfundojë më 31 janar. Edhe këtë vit, sipas tij, numri i gjuetarëve nga vendi jonë është i madh meqë edhe prezenca e derrit të egër është e madhe. Gjatë vikendeve, gjuetarët me përvojë të cilët i njohin terrenet e këtij rajoni, janë prezent dhe kanë shumë sukses në gjuetinë e derrit të egër. Përveç dibranëve, të cilët kanë pasion gjuetinë, ne kemi edhe gjuetarë nga Shqipëria, por edhe mërgimtar dibran të cilët jetojnë në SHBA dhe viteve të fundit edhe gjuetarë nga Italia dhe Spanja. Koncesioneri që mbulon këtë lokalitet të gjuetisë, Lulzim Lela, na informoi gjithashtu se derri i egër në këto hapësira është në numër të madh. Pikërisht, edhe prezenca e gjuetarëve të shumtë është efektive.
“Terrenet e Dibrës dhe më gjerë janë tejet të përshtatshme për gjueti dhe për gjuetarët e vendit, por edhe ata të jashtmit kanë mundësi që, përveç gjahut, të ambientohen edhe me natyrën e bukur. Kur bëjmë fjalë për gjuetarët mërgimtarë, të theksojmë se ata kryesisht janë dibranë që jetojnë në SHBA dhe tradicionalisht vijnë në sezonin e gjuajtjes së derrave. Ata janë tejet të kënaqur nga gjuetia, por edhe rekreimi. Nga Republika e Shqipërisë kemi rregullisht gjuetarë. Atje viteve të fundit me ligj është ndaluar gjuetia dhe afër 10 shtetas shqiptarë pothuajse rregullisht gjatë vikendeve vijnë në lokalitetet për gjueti të Dibrës”, tregon Lela. Bashkëbiseduesi i jonë, i cili me profesion është zoolog, na informoi se tani më disa vite është koncesioner për gjuajtjen në lokalitetin Bomovë dhe më gjerë dhe se koncesionin e ka marrë në afat prej 20 vitesh. Lela na thotë se është i kënaqur nga aktiviteti i tij në këtë sferë dhe shton se të gjithë gjuetarët që vijnë nga vendi, por edhe nga jashtë, janë të kënaqur si në aspektin e gjuajtjes, ashtu edhe në aspektin e natyrës. Një shqetësim i cili është prezent, tregon Lela, paraqet vendosja e leçeve (kurtheve) në zonën kufitare me të cilët dëmtohen kafshët e egra. “Për këtë problem kemi informuar edhe Ministrinë e Buqësisë dhe kemi kërkuar që kompetentët të marrin masa kundër atyre të cilët vendosin këta leçe për zënien e kafshëve”.
Ndryshe, çmimi i një kilogrami mishi të derrit të egër në treg shkon deri më 500 denarë, kurse lejet që marrin gjuetarët janë tejet të lira. “Një leje vjetore kushton 4 mijë denarë, kurse lejet ditore kushtojnë 400 denarë. Lejet ditore për shtetas të huaj kushtojnë 20 euro. Koncesionerët kanë një kontakt të rregullt me gjuetarët. Gjuetarët kanë licenca dhe respektojnë rregullat e sezonit të gjuetisë. Ka kalendar për secilin lloj të kafshëve ose shpendëve në rajonet të Dibrës dhe më gjerë dhe deri tani nuk ka patur probleme me mos respektimit të terminëve të gjuetisë. Respektohet tërësisht sezoni i hapjes së gjuetisë dhe aktualisht është duke vijuar gjuetia e derrit të egër”, siguron koncesioneri Lela. Ai thotë se rregulloret e sezonit të gjuetisë janë një parakusht për ruajtjen e fondit të kafshëve dhe zogjve në rajonin e Dibrës. (koha.mk)




