Një takim i rëndësishëm u mbajt në ambientet e BNJVL-së kushtuar shqyrtimit të mundësive për decentralizimin e shërbimeve sociale. Në takim, përveç Presidentit Orce Gjorgjievski, morën pjesë edhe Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, Kryetari i Komunës së Gazi Babës Boban Stefkovski, i cili është edhe Kryetar i Komisionit për Çështje Sociale në BNJVL, si dhe kryetarë të tjerë të komunave dhe përfaqësues të vetëqeverisjes lokale.
Në takim u diskutua iniciativa për transferimin e Qendrave për Punë Sociale nën juridiksionin e vetëqeverisjes lokale. Ky hap shihet si thelbësor në përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve sociale, si dhe në forcimin e koordinimit midis institucioneve lokale dhe qendrore.
Me transferimin e kompetencave, komunat do të fitonin një rol më të madh në menaxhimin e qendrave të punës sociale, të cilat do të vazhdonin të funksiononin në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Kjo do të mundësonte një qasje më specifike dhe efikase ndaj kujdesit për qytetarët, veçanërisht kategoritë vulnerabël.
Decentralizimi i shërbimeve sociale do të thotë akses më i madh për qytetarët, reagim më i shpejtë nga institucionet dhe krijimi i një sistemi funksional që do t’u përgjigjet nevojave reale të popullsisë lokale. Vetëqeverisja lokale është më afër qytetarëve – prandaj duhet të luajë një rol kyç në kujdesin për ta – deklaroi Kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski.