Partitë politike dhe “marrëzia” për të tërhequr sa më shumë anëtarë. Mbi 300 mijë persona, anëtarë të 66 partive politike në vend, ku pjesën më të madhe e mbajnë PS, PD dhe LSI. Çfarë i shtyn shqiptarët që të fusin në xhep teserat e partisë si “siguri” për përfitime personale dhe roli i tyre në zgjedhje. Flet analisti Afrim Krasniqi për militantizmin e theksuar dhe shfrytëzimi i tyre për të marrë pushtetin.
Nga Sebi Alla
Anëtar partie bëhesh pa mund, u hapen dyert me dëshirë, pasi kanë nevojë për “mall të ri”, sidomos në prag të fushatës elektorale.
Tri forcat politike kryesore në vend mbesin në garë se kush ka më shumë anëtarë me teserë. Mjafton të futesh në uebsitin e forcës që dëshiron dhe pas pak sekondash e ndjen veten partiak, duke u regjistruar online dhe bashkë me konfirmimin e anëtarësisë, shpesh vjen edhe mundësia për punësim, apo privilegje të tjera.
Ndonëse në mbarë botën e zhvilluar nuk synohet sasi anëtarësh, por cilësi e tyre, në Shqipëri ndodh e kundërta. Psikoza e së shkuarës me parimin totalitar që popullin e lidh ngushtësisht me partinë, vijon të mbetet edhe në ditët e sotme.
Ndërsa njëkohësisht sigurohen militantë, që janë të gatshëm të bëjnë shumëçka për forcën ku militojnë. Në një deklaratë të disa drejtuesve të PS-së pak muaj më parë, u tha se po synonin të arrinin shifrën e 150 mijë anëtarëve.
Ndërsa jo më larg mbetet edhe PD, që deklaron se ka mbi 120 mijë anëtarë në mbarë vendin. E mësuar me këtë mënyrë pompoziteti, vrullin e dy forcave të mëdha po e ndjek edhe LSI, drejtuesit e të cilës shprehen se kanë mbi 50 mijë anëtarë të regjistruar.
Përtej shifrave edhe të hiperbolizuara, ekziston një numër vërtet i frikshëm anëtarësh partiakë, që me angazhimin e tyre jo vetëm personal, por familjar e me gjithë fis, shpesh ulin deri në papërfillshmëri atë elektorat gri, që voton mbi bazë programesh.
Analisti Afrim Krasniqi, shprehet për MAPO se një situatë e tillë, me një militantizëm të theksuar vjen për disa arsye, por ndër më kryesoret i lidh me mentalitetin e së shkuarës për “partinë e popullit” dhe për përfitime personale.
“I pari faktor vjen nga mentaliteti i partisë ‘së popullit’ të periudhës komuniste. E dyta, nga nevoja të zgjerojë bazën e anëtarëve për ta bërë më populiste partinë, pra për ta kontrolluar më lehtë. Sa më shumë anëtarë, aq më pak transparencë reale; sa më pak, aq më vështirë për të drejtuar në formë autoritare e populiste. E treta, burim kryesor anëtarësie mbetet kontrolli mbi punësimet dhe politikat klienteliste. Investimi te militantët kthehet në vota dhe partitë janë të fokusuara në këtë gjë. E fundit, partitë e përdorin shifrën fiktive edhe për të justifikuar financimin e tyre, duke thënë se burim kryesor i të ardhurave janë kuotat e anëtarëve” -shprehet Krasniqi.
Jo domosdoshmërish shifra e lartë e anëtarësisë të mban në pushtet, në kohën kur ata zhgënjehen (edhe për interesa personalë) favori kthehet në disfavor.
“Partitë moderne nuk synojnë sasi anëtarësh, por cilësi të tyre. Në Shqipëri ndodh e kundërta. PPSH në fundin e saj 1991 kishte 150 mijë anëtarë, shifra më e lartë e një partie politike, por pas një viti humbi pushtetin. PD kishte 130 mijë anëtarë më 1996, por pak muaj më vonë la pushtetin. PS deklaroi vitin e kaluar synimin për 150 mijë anëtarë, por nuk ia doli dot” -komenton Krasniqi, që shton se partitë që kanë pushtet dhe në kulmin e pushtetit shumëfishohen me anëtarë, për shkak të forcës së pushtetit për ndikim dhe interesit të individëve për të siguruar vend pune ose një status social.
Kur ato kalojnë në opozitë, anëtarësia bie ndjeshëm.
“PD në 2013 kishte 104 mijë anëtarë, por dy muaj pas zgjedhjeve në votimin një anëtar një votë, morën pjesë rreth 44 mijë, pra 2.5 herë më pak. E njëjta situatë ndodhi me PS më 1992 dhe 2005 apo me PD më 1997” -thotë Krasniqi.
Në listën e partive të Evropës Lindore ish-komuniste, ne mbetemi me një shifër rekord të anëtarëve. Partia laburiste ose konservatore britanike, (dy partitë më të vjetra dhe të suksesshme në Evropë), deklarojnë anëtarësi më të vogël se sa PS e PD në Shqipëri.
Krasniqi shkon edhe në analizën e personave që synojnë anëtarësinë në një parti, mbi motivet që i shtyn, që shpesh të kthehen edhe në militantë të thekur, duke tundur flamuj, apo edhe rrëmbyer “hunj”, sa herë i thërret kryetari i partisë.
“Sondazhet tregojnë se numri i atyre që hyjnë në parti për arsye ideologjike nuk kalon 20%, bindja është relative dhe shkon deri 15%, interesi luhatet deri në 30%, programi jo më shumë se 10% dhe pjesa tjetër lidhet me krahinën e liderit, arsye personale, inatin ndaj palës tjetër politike etj.”, -thotë Krasniqi.
Shpesh anëtarët e partive, kur mobilizohen maksimalisht, janë përcaktuese në zgjedhje.
“Në Shqipëri numri i votuesve nuk kalon 1.7-1.8 milionë, nga të cilët një e treta e tyre është anëtare në 66 partitë politike. Pra, rezulton se në tërësi votojnë anëtarët dhe familjet e tyre” -thotë analisti Krasniqi, teksa shton se kjo e shpjegon fushatën e ashpër politike, retorikën e ashpër të liderëve, garën për vende pune në shtet, sistemin klientelist dhe faktin se pas 7-8 zgjedhjeve, sistemi politik është bërë shumë më pak përfaqësues dhe më pak cilësor se sa në fillim të viteve 90’.
Gjithashtu, mbetet fakt se në zgjedhje marrin pjesë rreth 50 % e personave që kanë të drejtë vote.
Më të prirur për të shkuar para kutisë së votimit, e madje edhe ta demonstrojnë nganjëherë edhe publikisht votën, janë anëtarët e partive.
Përveç votës së tyre kanë në duar edhe ato të familjes, pa harruar ndikimin e tyre në miqësi, apo me fis.
“Pjesa e pavendosur, pjesa liberale dhe elitat jashtë partive ose nuk votojnë, ose votat e tyre nuk kanë peshë përballë militantëve ose ajo nuk numërohet me korrektësi nga komisionerët partiakë” -shprehet Krasniqi.
Në një situatë të tillë ku mbi 300 mijë persona janë anëtarë të 66 forcave politike në vend, peshën kryesore e zënë tri partitë kryesore, që duke parë ndikimin e tyre kanë hapur, deri në “shqyerje” dyert e anëtarësisë, për të tërhequr sa më shumë individë dhe pajisur me teserë partie.
Mbetet problem më vete që të rinjtë 18-22 vjeç, janë kategoria që priret të angazhohet në një parti politike, ku më shumë se për programin, afrohet me mendimin e ofrimit të një vendi pune në administratën shtetërore, apo favore të tjera për përfitime individuale.