Më 3 qershor është momenti. Atëherë, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të zgjidhet një pjesë e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Ky këshill është organi më i fuqishëm i OKB-së. Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, ai mban “përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes botërore dhe sigurisë ndërkombëtare”. Vendimet e këshillit janë detyruese për të gjitha shtetet anëtare të OKB-së. Ai mund të vendosë sanksione, të dërgojë misione paqeruajtëse dhe të autorizojë përdorimin e forcës ushtarake.
Këshilli i Sigurimit ka pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Përveç tyre, ka edhe dhjetë anëtarë jo të përhershëm. Çdo vit, pesë prej tyre zgjidhen për një mandat dyvjeçar. Për një nga këto vende kandidon Gjermania.
Në fund të prillit, ministri i Jashtëm Johann Wadephul tha gjatë një vizite në selinë e OKB-së në Nju Jork për DW: “Do të thoja se shanset janë të mira, por është një garë dhe është demokraci. Pra, mund të fitojmë, mund të humbasim. Të dyja janë të mundshme. Ne kemi argumente të mira. Ne jemi të angazhuar në këtë botë. Jemi të angazhuar në sistemin e OKB-së.”
Gjermania donatori i dytë më i madh i sistemit të OKB-së
Ministria e Jashtme gjermane e argumenton pretendimin e saj edhe me kontributin financiar të Gjermanisë: “Si kontribuesi i dytë më i madh në sistemin e OKB-së (pas SHBA-së), Gjermania është prej më shumë se pesëdhjetë vitesh një partnere e besueshme e OKB-së.”
Megjithatë, kandidatura nuk do të jetë automatike, mendon Johannes Varwick, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Halle-s: “Për dekada, Gjermania shihej si një forcë për zgjidhje multilaterale politike dhe kishte mbështetje në shumë pjesë të botës. Tani ka shumë tema përçarëse”, thotë ai për DW, duke përmendur si shembuj konfliktin Izrael-Gaza, luftën me Iranin dhe luftën në Ukrainë. Megjithatë, në fund, argumenti financiar ka gjasa të jetë vendimtar, sipas Varwick.
Akuzë ndaj Gjermanisë për standard të dyfishtë
Por çfarë dëshiron të arrijë Gjermania me këtë vend, nëse e fiton? Në një film të shkurtër të përgatitur për kandidaturën me titull “More than a Seat” (“Më shumë se një vend”) thuhet: “Ne jemi gati të ulemi – për t’u ngritur. Për respekt, drejtësi dhe paqe.” Ministria e Jashtme shkruan: “Në Këshillin e Sigurimit, Gjermania dëshiron të vendosë theksin te parandalimi i konflikteve, zgjidhja e krizave, klima dhe siguria.”
Këto janë objektiva që në praktikë mund t’i mbështesë pothuajse çdo vend dhe prandaj ato nuk përbëjnë një tipar dallues gjerman.
Disa aspekte të kandidaturës gjermane tingëllojnë si një kundërvënie ndaj politikës së forcës së presidentit amerikan Donald Trump, për shembull kur Ministria e Jashtme kërkon një “rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla” dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare. “Sistemi i OKB-së është nën presion”, tha Wadephul në Nju Jork për DW. Por: “Unë besoj se diplomacia mbetet shumë e rëndësishme që të mos mbizotërojë e drejta e më të fortit.” Ai nuk e përmendi emrin e Donald Trump.
Edhe insistimi gjerman për të drejtën ndërkombëtare nuk është pa probleme në kontekstin e OKB-së, thotë Johannes Varwick. Disa e akuzojnë Gjermaninë për standard të dyfishtë: “Kur, për shembull, në çështjen e Gazës, ajo qëndron aq qartë në anën e Izraelit. Mendoj se në OKB kjo kuptohet, pasi Gjermania ka lidhje historike me Izraelin.” Ai i referohet Holokaustit, vrasjes së rreth gjashtë milionë hebrenjve gjatë periudhës naziste në Gjermani. Por shton: “Fakti që ajo qëndron kaq qartë në anën e agresorit – kështu e perceptojnë shumë – dhe në të njëjtën kohë në Ukrainë mban fort flamurin e së drejtës ndërkombëtare, nuk përputhet mirë.”
Reforma e Këshillit të Sigurimit duket pa shpresë
Ministri i Jashtëm Wadephul do të dëshironte që OKB-ja të bëhej përsëri një aktor më i rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Në lidhje me luftën në Ukrainë dhe atë me Iranin, ai kërkoi që OKB-ja “të bëhet qendra kryesore e diplomacisë aktuale të krizave”.
Në të dy këto luftëra dhe në shumë konflikte të tjera, OKB-ja ka mbetur më tepër pasive, kryesisht sepse një ose më shumë nga fuqitë me të drejtë vetoje janë të përfshira vetë në këto konflikte – Rusia në Ukrainë, SHBA në konfliktin me Iranin. Ato kanë bllokuar rezoluta kundër vetes, duke e paralizuar kështu këshillin.
Wadephul e sheh këtë si provë për nevojën e një reforme të Këshillit të Sigurimit, një ide që mbështetet edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres. Argumenti është se përbërja e këshillit, sidomos e fuqive me veto, pasqyron situatën botërore menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe jo realitetin e sotëm.
Gjermania, Japonia, Brazili dhe India kanë vite që kërkojnë secila nga një vend të përhershëm, si dhe dy vende të tjera për shtetet afrikane. Gjithashtu parashikohet shtimi i vendeve me katër ose pesë anëtarë jo të përhershëm, për t’i dhënë më shumë peshë rajoneve të nënpërfaqësuara si Afrika, Azia dhe Amerika Latine.
Por kjo nuk është realizuar kurrë dhe nuk duket e mundshme as në të ardhmen, pasi pesë fuqitë aktuale me veto duhet të pranojnë të heqin dorë nga privilegjet e tyre. Edhe Johannes Varwick i quan këto përpjekje, pavarësisht arsyetimit, “pa shpresë”.


