I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” ishte Gjergj Kaçinari, një artist i ri por shumë i talentuar. Biri i të mirenjohurit Alfred Kaçinari, Gjergji tashmë ka emrin e tij në fushën e artit. Përveç zërit të veçantë, Gjergji zotëron disa instrumente si, kitarë, bateri, piano, të cilat e plotësojnë më së miri figurën e tij si artist.
Ai e cilësoi baterinë si dashurinë e tij të parë, duke shtuar se i vetmi vend ku bateria regjistrohet ‘live’ është në studion e tij. Për pianon tha se në fillim ka qenë i detyruar që ta studionte, por nuk u tërhoq më prej saj, ndërsa kitarën e veçoi si instrumentin ku ai ‘përhumbej’.
Gjatë programit u shfaq një fotografi e Gjergjit me Dua Lipën, e cila ishte realizuar në “Sunny Hill”, festival që organizohet nga këngëtarja me famë botërore dhe babai i saj në Prishtinë. “Kënaqësia më e madhe ishte të shihja një festival me një standard të atij niveli, se sa të performoja vetë”, tha ai.
Një vend të veçantë në jetën artistike të Gjergjit ka edhe Florent Boshnjaku, nga i cili mori një videomesazh surprizë. “Kur ke për të folur për dikë që është shumë i talentuar është shumë e lehtë. Kur e kam dëgjuar Gjergjin për herë të parë më ka bërë shumë përshtypje, menjëherë kam marrë në telefon mikun tim Fredin dhe i kam thënë që këngën e parë do t’ia punoj unë, dhe ashtu ndodhi”, tha ndër të tjera kompozitori nga Prishtina, Florent Boshnjaku, fjalë të cilat e gëzuan pa masë Gjergjin.
Për planet më afërta muzikore, Gjergji zbuloi se ka punuar një këngë për “Festivalin e Madh të Këngës” dhe shpreson të jetë aty në fundvit.



