Në pritjen e valës së re eventuale të emigrantëve, përgatitje po bëhen edhe në Qendrën e pranimit të azil kërkuesve në Vizbeg. Aktualisht në këtë objekt janë strehuar 75 emigrantë, të cilët janë në procedurë të miratimit të azilit në shtetin tonë. Ndonëse objekti tjetër i rinovuar është bosh, nga drejtoria thonë se kapaciteti i plotë është deri në 150 persona. Sipas Drejtorit të kësaj qendre, në dy muajt e fundit azil kanë kërkuar 97 refugjatë kryesisht nga Lindja e Mesme. Ai thotë se gjasat janë të ulëta që nga vala e re e mundshme të ketë emigrantë që do të kërkojnë azil, ngaqë të gjithë synojnë BE-në.
Nga përvoja e mëparshme e 2015-ës numri i personave që kërkuan azil nuk është i madh. Edhe ata që kërkuan azil rrinë pak dhe vazhdojnë rrugëtimin e tyre. Gjasat janë të vogla që këta persona do të na mbeten këtu. Në pesë vitet e fundit ka shumë pak emigrantë që kanë fituar statusin e azilantit – tha Vlladimir Bislimovski, Drejtor i Qendrës së pranimit të azil kërkuesve në Vizbeg.
Por, ka disa që kanë mbetur prej vitesh në vendin tonë. Sinan Al-Niam i ardhur nga lufta e 82-shit nga Iraku tregon vështirësitë e tij gjatë rrugëtimit të atëhershëm të emigrantëve. Ai tani është bërë shtetas i Maqedonisë së Veriut, por fatin e njëjtë nuk beson se e duan edhe emigrantët e tanishëm.
Këtu nuk besoj se dikush do të qëndroj. Nuk e di se çfarë do të bënin por e dinë që këtu nuk ka punë. Duan të vazhdojnë tutje, nuk duan të mbeten as në Greqi e as në Serbi, duan të përfundojnë në vendet perëndimore. Në 2016-ën kur kam punuar dy vite si përkthyes në Tabanocë dhe Gjevgjeli situata ishte kafastrofike me refugjatët – u shpreh Sinan Al-Niami, ish-migrant nga Iraku.
Bislimovski thonë se që nga kriza e emigrantëve në vitin 2015 deri më sot azili iu është pranuar 6 personave. Sipas tij, procedura mesatarisht zgjatë dy vite, por shumica ikin drejt shteteve të BE-së.
Shtetit tonë strehimi i një emigranti i kushton 10 euro në ditë. Por, disa prej tyre që nuk deshën të flasin para kamerave thonë se këtu qëndrojnë deri në mundësinë e parë për të vazhduar drejt veriut.
Nga kjo qendër thonë se asnjëri nga 78 emigrantë ilegal të kapur nga policia e Shtipit në mëngjesin e së dielës nuk kanë kërkuar azil, dhe të njëjtit janë kthyer në kufirin me Greqinë.



