23:10 | 22 Mars 2025
Të ftosh njerëz në shtëpi, qoftë për një darkë apo një mbrëmje të thjeshtë mes miqsh, mund të jetë stresuese – sidomos nëse kërkon perfeksionin ose je nga ata që shqetësohen për çdo detaj
Nëse kapesh pas gjërave të vogla që mendon se mund të të bëjnë përshtypje, ndoshta po harxhon kohë dhe energji kot.
Nuk është nevoja të fshihesh pas fshesës me korrent gjithë ditën, kur në të vërtetë miqtë e tu do të vënë re vetëm disa gjëra specifike. Ja cilat janë ato:
1. Aroma e shtëpisë
Pa e kuptuar, aroma është gjëja e parë që ndjen dikush kur hyn në shtëpinë tënde. Ne mendojmë se shtëpia jonë nuk ka ndonjë aromë të veçantë, por të ftuarit e dallojnë menjëherë. Nëse ke kafshë shtëpiake, mos harro të ndryshosh rërën e maces, të lash shtratin e qenit dhe të ajrosësh dhomën. Një qiri aromatik ose një difuzor me vajra esencialë mund të bëjnë diferencën.
2. Ndriçimi
Një ndriçim i ngrohtë dhe i mirëorganizuar e bën shtëpinë më mikpritëse. Asnjë nuk ndihet rehat në një ambient që ka dritë të fortë dhe të ftohtë, ndaj ndriçimi i butë dhe i ngrohtë do të krijojë një atmosferë më të këndshme për të gjithë, shkruan HuffPost.
3. Rregulli (ose rrëmuja)
Askujt nuk i intereson nëse shtëpia jote është e pastër në çdo cep, por të gjithë e vënë re nëse ka rrëmujë. Sipërfaqet kryesore si tavolina e dhomës së ndenjes dhe banaku i kuzhinës duhet të jenë sa më të lira nga sendet e panevojshme. Një hapësirë e organizuar ndikon edhe në mënyrën si ndihen miqtë e tu.
4. Pastërtia e kuzhinës dhe tualetit
Mund të mos kesh kohë për një pastrim të thellë, por ka dy zona që duhet të jenë gjithmonë në formë: kuzhina dhe tualeti. Një banak i pastër, enët e futura në enëlarëse dhe një tualet i freskët me peshqirë të pastër janë detaje që bëjnë diferencën.
5. Bimët dhe gjelbërimi
Nëse ke bimë të vendosura në shtëpi, të ftuarit do t’i vënë re menjëherë. Jo vetëm që shtojnë estetikë dhe gjallëri, por krijojnë edhe një atmosferë më të ngrohtë dhe të gjallë. Plus, gjithmonë bëhen pikë bisede: ose për bukurinë e tyre, ose për faktin që dikush nuk arrin dot të mbajë një bimë gjallë!
6. Hyrja e shtëpisë
Çfarëdo që të ndodhë brenda, hyrja është ajo që lë përshtypjen e parë. Një qilim i pastër, ndriçim i bukur dhe ndonjë detaj dekorativ mund ta bëjnë këtë hapësirë më të këndshme dhe mikpritëse.
Pra, nëse ke miq që po vijnë për vizitë dhe ke pak kohë për të sistemuar, përqendrohu te këto. Pjesa tjetër? Do të mbetet thjesht një sfond! /Telegrafi/