Gjashtë botime të reja, gjashtë histori qytetesh ballkanike me dokumente arkivore osmane

Gjashtë botime të reja, gjashtë histori qytetesh ballkanike me dokumente arkivore osmane

Fondacioni ALSAR nxori nga shtypi në këto ditë janari një seri prej gjashtë botimesh kushtuar së shkuarës së gjashtë qyteteve të Ballkanit, Shkupit, Manastirit, Prizrenit, Pejës, Selanikut dhe Janinës. Çdo botim është mbështetur në dokumente të arkivave osmane në Stamboll, në osmanisht, turqisht dhe shqip.

Libri mbi Shkupin na thotë mes të tjerash:

Shkupi është qyteti i parë në Rumeli që ka marrë tipare osmane dhe muslimane. Për sa i përket sidomos tregtisë, bujqësisë, zhvillimit e mëkëmbjes, ai ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Perandorisë Osmane në Rumeli, ngaqë ndodhej në një pikëkalim midis Selanikut, Kosovës dhe Shqipërisë.     

Sipas studimeve mbi regjistrat, 78% e banorëve të qendrës së Shkupit ishin muslimanë që në shekullin e 16-të. Bashkë me muhaxhirët e ardhur gjatë luftës së viteve 1877-1878, ky raport vazhdoi deri në fillimet e shekullit të 20-të.

Me sa kuptohet nga dokumentet, në vitet 1810, 1847, 1852 dhe 1901 është shtruar si çështje restaurimi i Kalasë së Shkupit. Në vitin 1847, një pjesë e murit të madh të restauruar më parë në anën e Varoshit u prish ngaqë nuk ishte ndërtuar i fortë. Spitali me treqind shtretër, që filloi të ndërtohej për ushtarët brenda kalasë me kontributet monetare e jomonetare të popullit, përfundoi në vitin 1883. Më 26 janar 1890, konaku i drunjtë, i njohur si konaku i Hifzi Pashës, brenda kalasë, u dogj plotësisht. Dokumenti i fundit lidhur me restaurimin e kalasë së Shkupit është shkresa më datë 31 korrik 1901. 

Te botimi për Manastirin gjejmë fjalët:

Manastiri do të bëhej një qendër e rëndësishme arsimore dhe kulturore islame gjatë periudhës osmane. Qyteti u bë i njohur edhe për institucionet arsimore moderne, si Shkolla Pasfillore Ushtarake, e hapur pas Tanzimatit.  

Medreseja më e famshme në Manastir ishte ajo e Koxha Kadiut, ngjitur me xhaminë me të njëjtin emër. Kadi Hajdar efendiu e ndërtoi i pari, për t’u rinovuar pesë herë më vonë. 

Në vitin 1863, si pasojë e një zjarri të madh që filloi në një mejhane pas zyrës telegrafike dhe vazhdoi për dymbëdhjetë orë, u dogj një e treta e qytetit, përfshirë të gjithë çarshinë dhe një pjesë të shtëpive.

Prizreni përshkruhet kështu në tekstin e posaçëm:

Prizreni, qyteti i dytë i Kosovës sot për nga madhësia e rëndësia, ishte dikur qyteti i tretë më i madh në Ballkanin osman, pas Edirnesë dhe Selanikut. I shkruar në forma të ndryshme në burimet dhe epitafet osmane, emri i qytetit bartte kuptimin, “qytet i artë, i shkëlqyer dhe i pasur si ari”.

Prizreni osman mori një tipar shumë të fuqishëm islam gjatë shekullit të 16-të, një tendencë e vazhdueshme dhe në shekullin pasardhës. Xhamia e Sinan Pashës është një prej veprave më monumentale në Ballkan. Qyteti ishte dhe është qendër aktive e jetës së tasavufit (mistikës fetare).

E rëndësishme ishte pozita e Prizrenit në jetën ekonomike të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Në çarshinë e madhe, me 1389 dyqane, punoheshin armë e gërshërë, mprehëse lapsi e filigranë argjendi, kishte dyqane lëkurash, 15 mullinj uji dhe një han të madh.

Në librin për Pejën lexohet:

Përbërja shoqërore e sanxhakut të Pejës pasqyronte gjendjen e përgjithshme të bashkësive të Ballkanit. Popullsia osmane përbëhej nga dy grupe kryesore, që ishin muslimanët dhe jomuslimanët. Brenda kësaj strukture kishte bashkësi të larmishme fetare, sektare e racore. Peja, duke qenë se bartte një strukturë të tillë të larmishme, herë-herë është bërë skenë trazirash. 

Peja ishte kazaja qendrore e sanxhakut me të njëjtin emër. Qendrat më të rëndësishme të tregtisë në vend i përbënin 550 dyqanet dhe 10 hanet e saj. Esnafët në kazanë e Pejës praktikonin zeje të ndryshme; prodhoheshin enë prej argjendi dhe kostume popullore shqiptare të qepura me serm.

Nga veprat e vjetra islame në kazanë e Pejës, xhamia e ndërtuar nga Sulltan Mehmet Hani zë një vend të rëndësishëm dhe ka një komunitet të madh besimtarësh. Një tjetër vepër e rëndësishme islame është imareti dhe medreseja e Obranzade Mehmet Beut, ndërtuar në vitin 1719.

Një tjetër qyteti, Selanikut, në njërin prej botimeve të reja i bëhet vizatimi vijues:

Selaniku shihej si “pjesë e Stambollit” nga gjeografët osmanë, si “nëna e qyteteve” nga hebrenjtë. Me pamje kozmopolite dhe një popullsi shumëkulturore, ai ishte në shekullin e 19-të një prej dy qyteteve më moderne të Perandorisë Osmane.

Qyteti qe vendlindja e shumë poetëve, shkrimtarëve dhe dijetarëve osmanë. Gazeta, revista dhe libra në turqisht, hebraisht, greqisht, frëngjisht dhe bullgarisht botoheshin në kohën e xhonturqve. Vepra të arkitekturës së hershme osmane gjenden ende në Selanik, ashtu si dhe objekte të periudhës së fundit osmane. 

Dokumentet e vitit 1530 tregojnë se popullsia muslimane e qytetit ishte shtuar. Në vitin 1502, në qytet ekzistonin 37 lagje muslimane, katër xhami dhe 33 mesxhide. Vjetari zyrtar i vilajetit të Selanikut në vitin 1906 shkruan se në qytet kishte 36 xhami, 24 mesxhide, 9 medrese, përkrah shumë kishave dhe sinagogave.  

Në të gjashtin libër flitet për Janinën:

Janina, e përpjekur gjysmë shekulli që të bashkëjetonte me turqit, kaloi pa pasur përplasje ushtarake nën sundimin osman. Ajo vazhdoi të zhvillohej duke u shndërruar në një vendbanim që e tejkaloi kështjellën mesjetare. Dikur qendër e rëndësishme bizantine në Epir, Janina u shndërrua në një qytet kozmopolit ku banonin muslimanë, të krishterë dhe hebrenj.

Zhvillimi i shpejtë i Janinës pasqyrohet edhe në dokumentet dhe regjistrat e periudhës osmane që gjenden në Arkivin Osman në Stamboll. Disa kisha dhe manastire u ndërtuan me leje të pushtetit osman. Xhamia e Iljas efendiut ka një mbishkrim në gjuhën arabe që mban datën 1582 dhe që tregon se komuniteti musliman sa vinte e rritej.  

Në vitin 1618, Arsllan Pasha, biri i Zylfikar beut, sanxhakbeu i Janinës, ndërtoi kompleksin më të madh në Greqinë Perëndimore, të përbërë nga një xhami me kube, një medrese e madhe, një mensë për udhëtarët dhe të varfërit, një tyrbe dhe një hamam i madh me dy pjesë, për meshkuj dhe për femra.

Paragrafët e mësipërm përbëjnë copëza të përmbajtjes së gjashtë librave të rinj, të pasuruar dhe me ilustrime.