Gazetari i johur nga Tirana, Denion Ndrenika, e ka quajtur qyqar ministrin e jashtëm maqedonas, Bujar Osmani, pas vizitës zyrtare që realizoi në Shqipëri.
Në kolumnën e botuar në gazetën Lajm, Ndrenika komenton me mllef qëndrimet e Osmanit të shprehura në Tiranë, duke mos kursyer as ministren e jashtme shqiptare, Olta Xhaçka.
“Vjen në Tiranë dhe flet për trojet e Shqipërisë si të jenë fqinjë!!!
Ministri i Jashtëm i qeverisë së shtetit të verimaqedonasve shqiptari Bujar Osmani tha midis Tirane se “si fqinjë të afërt jemi drejtpërdrejtë të interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili në masë të madhe do të frymëzojë forcë të re, një impuls të ri besimi në rajon dhe do të hapë një hap serioz drejt një Ballkani të sigurtë dhe të qëndrueshëm”.
Domethënë, zoti Osmani e sheh Shqipërinë Verilindore, Kosovën si “fqinj” dhe jo si pjesë të popullit tonë të vetëm e të patjetërsuar nga cilido zuzar dhe edepsëz që sajon ndarje me apo pa dashje!”, komenton Ndrenika.
Sipas tij, E duhura do të ishte që Osmani dhe shumë të tjerë të flasin “qartë dhe prerë për të pranuar se fuqia jonë është kaq apo aq, por interesi i dialogut është për të njejtin popull dhe jo për fqinjët”.
“Fqinjë janë sllavët gjaksorë dhe jo shqiptarët në të katër anët e të vetmit shtet shqiptar që doli nga Prizreni dhe Vlora në 1878 dhe 1912.
Unë e kuptoj që nga pikëpamja institucionale ai duhet të flasë ashtu sepse fqinj është derisa i shërben shtetit të sajuar të verimaqedonsave, mirëpo mundet që me këshilltarë e këshillime ta ndreqë e ta përshtasë disi fjalën e fjalitë meqënës jemi i njejti popull.
Mirëpo njejtë me qyqari ministresha për të jashtmet Punë të Shqipërisë, Olta Xhaçka përsëriti fjalinë e amullt dhe të pakuptimtë për Marrëveshjen e Ohrit.
Druaj shumë nëse zonja Xhaçka e di në të vërtetë se çka thotë e për çka u bë marrëveshja në 13 gushtin 2001 apo dhe se, cilët ishin ata që e shfrytëzuan veçse për emrin e tyre me delir madhështie pa kurrfarë mirësie për shqiptarët e Shqipërisë Lindore nën pushtimin maqedonas”, thekson Ndrenika.
“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ligjit të “Gjuhëve” si gurthemeli i arritjes së barazisë së plotë mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar si dy komunitete shtetformues”, – tha zonja Xhaçka.
Çfarë do të thotë “zbatimi praktik”? Punësim? Diploma? Berberë, pastiçerë, byrektarë, këpucëtarë shqiptarë apo stomatologë, mjekë, noterë, avoketër, juristë maqedonas?
A e di ajo punën e ligjit të gjuhëve? A e di ajo përse u nda shteti i verimaqedonasve administrativisht duke ulur përqindjen e shqiptarëve etnikë duke lënë Shkupin, Ohrin, Strugën si dashi pa këmborë? A e di ajo se kurrkush nga shqiptarët nuk fitoi nga Ohri? Fituan? Çfarë?!”, pyet më tej gazetari shqiptar, Denion Ndrenika.