Një gazetar pozitiv ndaj virusit korona, katër gazetarë nga Kanal 5 në vetizolim, televizioni pohon se janë ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtje, politikanët solidarizohen me gazetarët. Ky është epilogu nga dita e djeshme kur sërish u hap çështja e profesionit të gazetarëve dhe sa është e vlerësuar ajo në këto kushte të jashtëzakonshme të punës, kur rekomandimet janë të qëndrohet në shtëpi dhe sa është e mundshme të kufizohet lëvizja jashtë në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit korona.
Por, ndonëse në periudhën e kaluar janë shprehur angazhime publike nga politikanët se do të qëndrojnë prapa gazetarëve dhe se janë në vijat e para të frontit shtrohet pyetja se sa janë ata të sigurt në kushte të pandemisë së Kovid-19, duke marrë parasysh faktin se puna e tyre është në terren, punëtorët mediatik dalin në terren për t’i informuar qytetarët për gjithë atë që po ndodhë në vendin e tyre.
Në këtë temë biseduam me kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski dhe me njeriun e parë të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik, Zvezdan Georgievski.
– Ishte çështja kohe se kur do të ndodhë të ketë ndonjë të sëmurë nga pala e gazetarëve te ne, meqë kjo tashmë ka ndodhur në disa redaksi jashtë vendit. Krahas gjithë atij personeli mjekësor dhe policëve, ishte për t’u pritur se gazetarët nuk do të mbeten imunë ndaj pandemisë globale. Të gjithë jemi në komunikim të përditshëm edhe me njerëz në terren, por edhe në redaksitë. Nuk ka siguri 100 për qind, meqë ky armik është i tejdukshëm, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet t’i ndërmarrim të gjitha masat e mundshme, thekson Çadikovski për MEDIAL-n.
Njeriu i parë i SHGM-së shprehet se ata që mund të punojnë nga shtëpia, duhet ta bëjnë këtë, ato redaksi që mund t’i lejojnë vetes punë në grupe, duhet doemos ta bëjnë këtë.
– Maskat dhe dorëzat janë vetëm një pjesë e mbrojtjes, por jo e mjaftueshme, nëse nuk jemi të vetëdijshëm se duhet doemos të zvogëlohet shoqërimi dhe të shndërrohet në shoqërim nga distanca, shton Çadikovski.
SHGM-ja përgatiti doracak special për raportim etik dhe siguri gjatë punës, për të cilin insiston që të respektohet. Çadikovski informon se doracaku si doracak i vetëm gjithëpërfshirës është përkthyer në anglisht dhe shqip, ndërsa është dërguar edhe në Federatën Evropiane të Gazetarëve, që ua shpërndau të gjitha anëtareve të saj në Evropë si doracak praktik për përballje me redaksitë e gazetarëve në kushte të pandemisë.
– Kjo flet për seriozitetin me të cilin i jemi qasur projektit. Ja edhe nga Këshilli i Evropës nga Kievi, kërkuan leje për përkthimin e doracakut dhe përdorimin e tij. Gjithsesi, që të jemi të mbrojtur mjaftueshëm duhet të gjithë t’u përmbahemi udhëzimeve, jo vetëm gazetarët, por edhe kompanitë në të cilat punojmë. Shumica i pranojnë këto vërejtje, shton Çadikovski.
Georgievski thekson se punëtorët mediatik janë aq të sigurt sa, në kuadër të mundësive të tyre, do të sigurojnë vetë.
SGPM-ja, përkujton Georgievski kërkoi nga Qeveria dhe nga Shtabi i krizës redaksive dhe mediave t’u sigurojë në mënyrë të organizuar dhe sistemore mbrojtje përkatëse (dorëza, maska, mjete dezinfektimi… ), por, siç shton, menaxherët e gjendjes së krizës kanë mbetur të shurdhër ndaj këtyre kërkesave.
– Ajo që na mbetet neve është që të bëjmë thirrje dhe të shpresojmë se e gjithë puna do të kalojë me dëm gjithnjë e më të vogël. SGPM-ja rregullisht i publikon dhe ripublikon rekomandimet për mbrojtjen e gazetarëve që i miratoi Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IJF) dhe të cilët mund të gjenden në sajtin tonë www.sssnm.org.mk Ja, shfrytëzoj edhe këtë rast që t’i lus kolegët që t’i ndjekin në mënyrë rigoroze këto rekomandime, thekson njeriu i parë i SGPM-së.
Të shqyrtohet mundësia që gazetarët të testohen më shpesh
Pas lajmit për testin pozitiv ndaj virusit korona të kryeredaktorit përgjegjës të televizionit Kanal 5, Goce Mihajllovski u paraqit brengosje në mesin e gazetarëve, kush me kë ka komunikuar, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje në konferencën për gazetarë e qetësonte situatën, tha se tashmë janë identifikuar kontaktet, janë bërë intervista, një pjesë do të bëhen sot.
Edhe katër kolegë të Mihajllovskit, për shkak të kontaktit, janë vendosur në vetizolim. Televizioni, përkundër sfidës me të cilën përballet, vazhdon të informojë.
Çadikovski në bisedën për MEDIAL-n i dëshiroi Mihajllovskit shërim më të shpejtë dhe shfaqi shpresë se epidemiologët e kanë bërë mirë punën dhe se nuk do të lejohet zgjerim i mëtejshëm i virusit.
– Dëshiroj që Goce të shërohet më shpejtë dhe t’u kthehet detyrave të tij profesionale. Jam i vetëdijshëm për brengosjen në mesin e gazetarëve dhe kolegëve, veçanërisht tani në Kanal 5, por mbetet të shpresojmë se epidemiologët e kanë bërë mirë detyrën e tyre dhe se nuk do të lejohet përhapje e mëtejshme e virusit. Nuk ka tjetër, duhet doemos të jenë të guximshëm, shprehet ai.
Megjithatë, për shkak të rrezikut të profesionit të gazetarëve konsideron se duhet të shqyrtohet mundësia që punëtorët mediatik të jenë të testuar më shpesh.
– Nga ana tjetër, duke marrë parasysh ekspozimin e gazetarëve dhe mundësitë për të qenë të infektuar, a duhet të jenë të testuar më shpesh veçanërisht ato raste për të cilat ka informacione se kanë pasur kontakte me njerëz që bartin virusin. Nuk mund të jenë të gjithë të barabartë para ligjit, por Zaevi dhe Mickovski të jenë më të barabartë se tjerët. Pyetni kolegët nga Kanal 5 të cilët tani janë në vetizolim, çfarë do t’ju thonë… Nëse duhet menjëherë, menjëherë të testohen, në mënyrë që të qetësohet tensioni në këtë profesion. E di se testi nuk është garanci, por nuk ishte garanci as te liderët e partive, por e bënë atë, theksoi Çadikovski.
Shprehet se profesioni mediatik është tani i brengosur dhe sërish i përsëriti thirrjet për distancë më të fuqishme sociale, por njëherësh edhe të mos harrohet se në këto kohëra puna themelore e mediave është të raportojnë dhe informojnë në mënyrë profesional dhe etike, por edhe të mos i kursejnë politikanët nëse këta të fundit gabojnë.
– Është e vërtetë se është gjendje e jashtëzakonshme, por kjo nuk do të thotë se në gjendje të jashtëzakonshme gjithçka është e lejuar ose se ajo duhet të kufizojë lirinë e fjalës. Prandaj themi, guximshëm me fjalët, kujdes me shoqërimet, theksoi Çadikovski për MEDIAL-n.
Gazetarët t’i lajmërojnë të gjitha rastet e mbrojtjes joadekuate të shëndetit të tyre
Në adresë të SGPM-së mbërrijnë ankesa nga gazetarë dhe punëtorë mediatik se nuk u është siguruar mbrojtje përkatëse gjatë punës në kushte të pandemisë.
– Konsiderojmë se ka lëshime serioze në këtë fushë dhe njëherësh i inkurajojmë gazetarët që të na i lajmërojnë të gjitha rastet e mbrojtjes joadekuate të shëndetit të tyre. Njëherësh i inkurajojmë përmes organizatave tona sindikale që të ushtrojnë presion të fuqishëm ndaj punëdhënësve që t’u mundësohen kushte përkatëse për punë. Ose, në rast se nuk janë të lidhur në mënyrë sindikale, rekomandojmë që të vetorganizohen dhe të ushtrojnë presion të fuqishëm në drejtim të zgjidhjes së këtyre problemeve, shprehet Georgievski për MEDIAL-n.
Çadikovski, nga ana tjetër, thekson se në Maqedoni jemi mësuar me situata se gjërat e këqija i ndodhin dikujt tjetër. Si rezultat, shton ai, është e mundshme të ekzistojë edhe vetëdije e pamjaftueshme për problemin, po edhe papërgjegjësi, së paku në fillim, por tani gjërat shkojnë për së mbari.
– Pjesa më e madhe e redaksive dhe kolegët janë të kënaqur me mënyrën në të cilën kompanitë e tyre i janë qasur problemit. Ankesa të caktuara kishin nga ana e kolegëve, për ta tashmë është folur me përfaqësuesit e kompanive dhe kjo duhet të tejkalohet në periudhën e ardhshme, shton Çadikovski.
SHGM-ja paralajmëroi ndihmë për mediat në pajisje, mjete për dezinfektim, maska, dorëza, ndërsa çështja se deri ku është e gjithë kjo punë dhe nëse në fakt nuk ka vonesë me ndihmën, Çadikovski thekson se kanë arritur që në bashkëpunim me OSBE-në të organizojnë 150 pako me çfarëdo lloji të pajisjes, që së shpejti do t’u shpërndahet redaksive.
– Kjo do të thotë se mbi 100 redaksi, për televizionet dhe radiot kombëtare, por edhe ato rajonale dhe lokale, për portalet që kanë zyrat e tyre, do të jenë të pajisura tërësisht, me dhjetëra lloje të artikujve që do të thonë shumë, veçanërisht në periudhën kur pandeMEDIAL do të arrijë pikun e saj. Mendoj se do të mbërrijnë me kohë, për të gjithë ata që u lajmëruan në shpalljen tonë. Ishte një operacion i madh dhe tërë organizimi kërkonte kujdes, sërish për shkaqe sigurie, theksoi Çadikovski për MEDIAL-n.
Është vërejtur ulje e numrit të storieve hulumtuese prej fillimit të krizës së koronës
Në vijën e parë të frontit në përballjen me Kovid-19 janë personat mjekësor, policia, ARM-ja dhe kjo është e padyshimtë, përmenden edhe gazetarët, por megjithatë mbetet përshtypja se kjo është disi deklarative. Shtrohet pyetja se sa në fakt është i vlerësuar në mënyrë të drejtë profesioni i gazetarëve në këto momente të krizës.
Çadikovski për MEDIAL-n thekson se konferencat për media nuk janë burimi i vetëm i informimit dhe vëren se ka ulje të storieve hulumtuese prej fillimit të krizës.
– Në gishta mund të numërohen storiet hulumtuese prej fillimit të krizës së koronës. Ishin disa dhe menjëherë gazetarët ishin të bombarduar me kërcënime dhe padi prej qendrave të caktuara të fuqisë. Ky është një tentim për censurë, prandaj edhe reaguam si SHGM me mbështetje për kolegët. Kam ndjenjën se politikanët i përmendin gazetarët në kontekst të mirë, vetëm kur duan t’u vardisen. Në fakt, shumica konsiderojnë se jemi një e keqe e domosdoshme. Nuk na duhet vlerësimi i tyre. Na duhet gjykimi i opinionit, dhe pas përfundimit të kësaj krize, të thotë se e kemi ushtruar mirë detyrën, e jo vetëm në mënyrë deklarative. Gazetarët duhet doemos të mbeten të vetëdijshëm se storiet hulumtuese janë kyçe, thekson Çadikovski.
Thekson se në këto momente të krizës në fakt është treguar rëndësia e rrjeteve korrespondente, diçka që SHGM-ja tenton ta nxjerrë në sipërfaqe tashmë një kohë të caktuar.
– Dhe ajo që tani do të doja veçanërisht ta theksoj është fakti për të cilin shumë jemi angazhuar në periudhën e kaluar – rrjeti i korrespondentëve. U tregua se korrespondentët në gjendje të këtillë, të përballur me një sfidë të këtillë globale, janë shumë të rëndësishëm për mediat. Ata e luajtën rolin e tyre kryesor. Pikërisht edhe për këtë, duhet doemos të kenë vendin e tyre të merituar në redaksitë e gazetarëve, shprehet Çadikovski për MEDIAL-n.
Ulja e pagave të gazetarëve në kohë të pandemisë është ekuivalente me uljen e të ardhurave të punëtorëve mediatik
Sipas njeriut të parë të SGPM-së, Georgievski, Qeveria nuk ka ofruar kushte korrekte për punë të punëtorëve mediatik, ndonëse ata janë në vijat e para të frontit në përballjen me pandeminë.
– Qeveria, ndonëse flet në mënyrë deklarative për mbrojtjen e vendeve të punës dhe të punësuarve, fitohet përshtypje se shumë më tepër i mbron punëdhënësit. Gjatë miratimit të masave konsultohen thuajse vetëm me odat dhe ekonomistët, ndërsa sindikatat dhe shoqatat esnafe janë tërësisht të margjinalizuara. Sa u përket medieve, tashmë i kemi përjashtimet e para në portalet, ndërsa fatkeqësisht paralajmërohen edhe të tjera. Në këtë kontekst, SGPM-ja dhe disa organizata simotra, përgatitë, siç quhet kjo tani në mënyrë të popullarizuar, një set të masave, gjegjësisht kërkesave drejtuar Qeverisë për mbrojtje më të madhe të të punësuarve, veçanërisht të atyre që veprojnë në hapësirën mediatike, shprehet Georgievski për MEDIAL-n.
Në kontekst të masave qeveritare me të cilat në gjendjen e jashtëzakonshme nuk vlejnë marrëveshjet kolektive, por edhe ndihma e paralajmëruar në shumë të pagës minimale për profesionin mediatik, Georgievski thekson se në këto kushte ndoshta nuk është cenuar mbijetesa e medieve, por është cenuar mbijetesa e gazetarëve.
– Pa marrë parasysh marrëveshjet kolektive, ulja e pagave të gazetarëve në çfarëdo forme (paga minimale, marrje të shtesave dhe ngjashëm) nuk është opsion dhe kjo duhet t’u jetë e qartë të gjithëve. Nëse ulen pagat e gazetarëve gjatë pandemisë është krejtësisht njëjtë sikur tani t’u ulen pagat mjekëve dhe personelit mjekësor. Ndërsa kjo nuk vjen parasysh!, porositë Georgievski në bisedën për MEDIAL-n.
Ana Cvetkovska



