9 June 2018 / 15:08
Njohësit e çështjeve evropiane vlerësojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të demokratizohen dhe reformohen për të mirën e qytetarëve dhe jo vetëm për hir të proceseve integruese. Kryetarja e Qendrës për Kulturë dhe Debat në Sofje, Desislava Gavrilova thotë se çelësi i transformimit ndodhet në konsensusin e brendshëm dhe se vetëm një vend demokratik mund të jetë imun ndaj pasojave të mundshme negative të integrimit në BE, siç është largimi i popullsisë.
Jam vërtetë e bindur se shoqëria ka nevojë të gjejë burimet e saja të transformojë veten. Kjo nuk mund të vijë me asnjë anëtarësim në cilëndo organizatë. Kjo do të jetë vetëm zëvendësim për ndryshimin e vërtetë. Duhet të ketë konsensus në shoqëri se si doni të duhet sistemi juaj arsimor, shëndetësor, si doni të punojnë institucionet tuaja. Ky është një debat që duhet të ndodhë. Kjo nuk do të jep rezultate lehtë, është e vështirë por nuk ka zgjidhje tjetër – deklaroi Desislava Gavrilova, The Red House Center, Sofje.
Shkrimtari, Agron Tufa nga ana tjetër duke folur për nevojën e bashkëpunimit më të madh mes vendeve të rajonit tha se duhet të punojnë rreth një strategjie të përbashkët kulturore për njohjen e njëri tjetrit.
Ne nuk i njohim shenjat elementare të identitetit, atë që përfaqëson fizionominë e secilit popull. Ti duke mos e njohur se çfarë fizionomie shpirtërore ka, çfarë relieve ka kultura material shpirtërore e popullit me të cilin jeton pak kilometra larg, atëherë nuk do të dish kurrë të ndërtosh një dialog për së mbari – tha Agron Tufa, Shkrimtar.
Komentet u bënë gjatë “Debatit mbi Evropën” të organizuar nga Fondacioni S.Fisher, Fondacioni Kulturor Allianz dhe Akademia Gjermane për Gjuhë dhe Letërsi, seri kjo e debateve që mbahen në qytete të ndryshme anembanë kontinentit që nga viti 2012.
Anesa Salihu


