Gati tre muaj nga arratisja e shefit të kabinetit të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, Artan Grubi, asnjë gjurmë nga vendndodhja e tij. Ndërkohë sekretari organizativ i BDI-së Blerim Bexheti përsëriti edhe një herë se Grubi dhe çdokush që ka gabuar nga ligjit, duhet të përgjigjet.
“Nuk është vetëm qëndrim i imi personal por është edhe qëndrim i partisë, çdokush që ka gabuar duhet të përgjigjet para organeve”, tha Blerim Bexheti, Sekretar Organizativ i BDI-së.
A e dini se ku ndodhet?
“Nuk kam pasur komunikim, as më herët, e as pas ngjarjes. Realisht duhet ta dinë organet kompetente”, shtoi ai.
Për dallim nga Bexheti, kreu i integristëve Ali Ahmeti kohë më parë deklaroi se Artan Grubi nuk është në arrati, pasi është në trojet shqiptare, duke i dhënë konotacion entik arratisë së numrit dy të deridjeshëm të partisë. Ahmeti madje kishte folur në emër të Grubit duke thënë se ai është i gatshëm të përgjigjet, por jo me drejtësi selektive.
“Zotëri Grubi, sipas informatave që i kam, nuk e kam takuar, është mirë. Vendndodhja e tij akoma është, sigurisht që është dikund në hapësirat shqiptare. Është një proces që duhet të marrë epilog. Artan Grubi nuk është arratis nga Maqedonia, Artan Grubi është i gatshëm të përgjigjet para organeve të drejtësisë, të respektojë ligjet, por jo me drejtësi hakmarrëse e selektive”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Artan Grubi i cili u arratis nga Maqedonia, për shkak korrupsionit dhe ndërhyrjes në gjyqësor për ta shpëtuar Sasho Mijallkovin, ai u bë edhe pjesë e listës së zezë amerikane./Alsat.mk