Sektori i hotelerisë dhe gastronomisë të premten në takimin me zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqin do të debatojnë për masat për të ndihmuar këtë veprimtari ekonomike, zgjatjen e orarit të punës deri në ora 23, ndihmën për pagat e kështu me radhë. Përfaqësues të hotelerisë thonë se gjenden në një situatë mjaft të vështirë, dhe rrezikojnë mbylljen e një pjesë të madhe të objekteve hotelerike që punësojnë mbi 30 mijë punëtorë. Kërkojnë edhe miratimin sa më të shpejtë të pakos së pestë të ndihmës ekonomike ku do të përfshihen edhe pagat për muajin janar. “ Restorantet për ahengje dhe klubet janë të mbyllura më shumë se 300 ditë si dhe nuk ekziston asnjë protokoll për punën e tyre. Njëherësh për shkak të situatës në përgjithësi shtrohet edhe çështja e planeve të punës për periudhën e ardhshme. Është çështje kohe kur do të mbyllen edhe më tej objektet hotelerike për shkak të borxheve të grumbulluara me çka do të rritet edhe numri i personave pa punë që do të mbesin pa ekzistencë”, thotë Martin Angellovski, kryetar i Odës Turistike pranë Lidhjes së odave ekonomike. Sipas tij vetëm 132 kompani nga 6500 subjekte juridike në sektorin e hotelerisë kanë fituar përkrahje për pagat dhe ndihmë të pakthyeshme si grante për mbulimin e harxhimeve të tjera.
Nga Lidhja e Odave ekonomike ndër të tjerash kanë kërkuar që për kompanitë hotelerike të barazohet Tatimi i Vlerës së Shtuar i të gjithë shërbimeve dhe prodhimeve në dhjetë për qind, ndërsa kompanitë hotelerike kërkojnë që të ulet edhe TVSH nga 18 në 10 për qind. Nga Oda e pavarur e hotelierëve thonë se kërkesa kryesore në takimin me përfaqësuesit qeveritar të premten do të jetë ndihma dhe përkrahja për pagat bruto të punëtorëve në hoteleri për periudhën janar-mars 2021, që do ti mundësojë këtij sektori që të mbajë në punë të punësuarit në tërësi, ndërsa lidhur me kërkesat dhe pritjet e tjera shpresojnë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët për kërkesat e tyre të pranueshme për industrinë hotelerike dhe sipas mundësive të qeverisë.
Ndihmë për pagesën e pagave në tre muajt e parë të vitit kanë kërkuar edhe agjencitë turistike që ankohen se kanë rënie të madhe të punës në një të tretën e vëllimit në raport me një vit më parë. Për shkak të stabilizimit të situatës me pandeminë, kërkojnë edhe të kthehet udhëtimi me autobus me 75 apo 100 për qind të pasagjerëve në vend të 50 për qind si deri tani. Në ndërkohë, nga kabineti i zëvendës kryeministrit për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi thonë se po punohet në mënyrë aktive në pakon e pestë të masave ekonomike, që do të miratohen në konsultim më të gjithë faktorët. “Ashtu sikur paketat e mëparshme të masave edhe kjo paketë do të miratohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe për të njëjtin tashmë janë projektuar mjete në buxhetin e vitit 2021, gjegjësisht 50 milionë euro, por mjetet për menaxhimin me krizën e KOVID-it janë përfshirë në vetë programet e punës së ministrive, e që Qeveria sigurisht i mori parasysh gjatë miratimit të programeve dhe buxhetit për këtë vit”, thotë, zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi. Sipas tij, gjatë kësaj jave si dhe javës së ardhshme pasojnë konsultime me dhomat, Platformën për partneritet publik privat, këshillin ekonomik-social dhe të gjithë palët e interesuara që bashkërisht t’i përcaktojmë masat e paketës së re, e që më pas ato do të shpallen para opinionit.
Ndryshe, gastronomia, hoteleria dhe transporti i udhëtarëve janë ndër sektorët më të prekur nga vendimet qeveritare për masat për parandalimin e pandemisë. Kriza ekonomike e shkaktuar nga kriza shëndetësore e pandemisë ka dëmtuar mjaft ekonomitë e shteteve të rajonit. Në Maqedoninë e Veriut me dhjetëra miliona euro humbje në muaj po tregojnë edhe sektorët e turizmit vendor, dhe sidomos kapacitetet turistike në Ohër dhe Strugë, ndërsa humbje të mëdha po shënohen edhe nga mosardhja e turistëve të huaj në Shkup dhe pikat e tjera turistike në shtet. Humbje të mëdha kanë shënuar edhe sektori i tregtisë dhe shërbimeve si restorantet, sallonet e dasmave, grupet muzikore, butiqet, artaritë, dyqanet e teknikës së bardhë, mobileritë e kështu me radhë, si rrjedhojë e anulimit të dasmave dhe ardhjes në numër shumë të vogël të mërgimtarëve. (koha.mk)




