Me çështjen e ajrit të ndotur nuk duhet të bëjmë politikë, kështu tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, i cili shtoi se kjo është një problem që na tangon të gjithëve. Në një takim ku morën pjesë jo vetëm 10 kryetarët e komunave që janë pjesë e Qytetit të Shkupit, por edhe kryetarët e 8 komunave tjera që janë pjesë e rrethinës së Shkupit, u diskutuan zgjidhjet e mundshme për problemin e ndotjes së ajrit. Trajanovski tha se sipas një studimi, ndotësit më të mëdhenj të ajrit janë amvisëritë, me 32 për qind, pastaj vinë trafiku me 20 për qind dhe pluhuri nga aktivitetet ndërtimore me 19 për qind dhe industria me 18 për qind. Kryetari i Qytetit të Shkupit tha se janë diskutuar më shumë zgjidhje për problemin, ndërsa apeloi që të ulet çmimi i nxehjes qendrore.
“Njëra nga temat ishte edhe zgjerimi i rrjetit të nxehjes qendrore në Qytetin e Shkupit, në mënyrë që komunat, Qyteti i Shkupit dhe pushteti qendror të marrin pjesë në subvencionimin e zgjerimit të nxehjes qendrore. Gjithashtu, kemi diskutuar edhe çështjen e gazifikimit. Shpresoj se me formimin e Qeverisë së re, urgjentisht duhet të shpallet tender i ri për gazifikimin e Qytetit të Shkupit”, ka deklaruar Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit. /SHENJA/

