Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, deklaroi sot se grupi i punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ndodhet në fazën finale dhe se shumë shpejt pritet të përfundojë përpilimi i tij. Ai u shpreh i bindur se ndryshimet do të jenë të pranueshme për të gjitha subjektet politike.
Sa i përket shfuqizimit të qeverisë teknike, Gashi theksoi se një vendim i tillë do të ishte më i mirë nëse merret me konsensus politik, ashtu siç ishte dakorduar me Marrëveshjen e Shkupit në vitin 2015. Megjithatë, ai shtoi se nga aspekti procedural dhe ligjor, vendimi mund të merret edhe me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.
“Sipas mendimit tim, ndërprerja e qeverisë teknike duhet të bëhet në mënyrë konsensuale, ashtu siç ishte dakorduar me Marrëveshjen e Shkupit në vitin 2015. Megjithatë, edhe atëherë është përcaktuar se një vendim i tillë mund të merret edhe me shumicë të thjeshtë prej 61 votash. Proceduralisht dhe ligjërisht, një vendim i tillë nuk paraqet problem, por mendoj se është e domosdoshme që të gjithë aktorët politikë të ulen, të bisedojnë dhe të arrijnë një vendim të përbashkët”, deklaroi Gashi.


