“Përforcimi i rolit të Kuvendit- midis reformave dhe vullnetit politik” . Ishte kjo konferenca e mbajtur sot ku mori pjesë edhe kryeparlamentari Talat Xhefarri. Sipas tij, Kuvendi luan një nga rolet kyçe në në rrjedhat demokratike dhe integrimet euroatlantike dhe për përforcimin e këtij roli ka gatishmëri edhe nga shumica e re parlamentare.Perceptimi dhe besimi, tha Xhaferri, para së gjithash varen nga transparenca e punës së Kuvendit si pushtet ligjvënës, mandej nga çdo deputet, madje edhe nga shërbimi kuvendor. Lidhur me transparencën ai tha se parlamenti nuk fillon nga zero, por ka arritur nivel të caktuar që është pranuar edhe nga miqtë ndërkombëtarë.
Sipas tij, janë marrë disa hapa për informimin sa më të mirë të qytetarëve dhe transmarencën e punës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë si: vendosja e të ashtuquajturit e-parlament, pastaj ëebfaqen e Parlamentit, mundësinë përmes strimingut që live të ndiqen seancat plenare në Kanalin e Kuvendit.
Lidhur me përforcimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit, Xhaferi tha se nga aspekti normativ, nuk ekzistojnë pengesa më të mëdha për realizim të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv, por, megjithatë, praktika mbet pas rregullimit normativ.
“Në atë kontekst, nevojitet vullnet politik për krijim të praktikës për kontroll të vërtetë mbi pushtetin ekzekutiv. Jam i bindur se kjo shumicë parlamentare e ka atë vullnet të nevojshëm kritik e cila do t’i lëvizte punët në një drejtim pozitiv kur bëhet fjalë për realizim të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, tha Xhaferi.
Porosia e sekretarit të përgjithshëm të BESËS Afrim Gashi, ishte që Kuvendi ta kthejë rolin e tij të vërtetë që i takon në një sistem politik. Gashi konsideron se përderisa në një sistem politik Kuvendi nuk është institucioni qendror, gjithnjë ka për të pasur probleme.
“Kur bëhet fjalë për demokracitë parlamentare, nëse kuvendi nuk është institucioni qendror, nëse atë e mënjanoni apo e hiqni, atëherë kurrë nuk keni për të pasur demokraci parlamentare”-tha Afrim Gashi, nga Lëvizja BESA.
Ndërsa, Tomisllav Tuntev, koordinator i grupit të deputetëve të LSDM-së tha se problemi më i madh në punën e deritanishme dhe angazhimin e deputetëve nuk kanë qenë ligjet, por implementimi i tyre.
“Grupi parlamentar duhet të jetë grupim individësh, me emër dhe mbiemër, me cilësi, karakteristika dhe performansa vetanake, që ai të kontribuojë në interes të qytetarëve që i përfaqëson”- tha Tomislav Tuntev, nga LSDM.
Në konferencën e sotme për përforcim të rolit të Kuvendit debatohet për avancimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit, për cilësinë e debatit kuvendor dhe për rritje të përfshirjes së qytetarëve në punën e Kuvendit, marrin pjesë përfaqësues të partive parlamentare me përjashtim të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, ish-deputetë, si dhe përfaqësues të sektorit civil.
Evi Shkopi
Almakos.com