Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fjalën e tij në Konferencën e 20-të të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Nismës Adriatiko-Joniane, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian (BE), NATO-s dhe bashkëpunimit rajonal, transmeton Anadolu.
Siç njofton zyra për media e Kuvendit, Gashi si nikoqir në këtë konferencë tha se takimet e këtilla janë mundësi e shkëlqyer për shkëmbim përvojash dhe për përpjekje të përbashkëta në përcaktimin e prioriteteve për periudhën e ardhshme.
“Në kushte të sfidave të mëdha gjeopolitike me të cilat po përballet bota, besoj se fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkëpunimi, përparimi, përforcimi i lidhjeve si dhe kultivimi i vlerave që promovojnë paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë”, tha ai.
Gashi theksoi se për Maqedoninë e Veriut, si shtet me synim strategjik anëtarësimin e plotë në BE, është tejet e rëndësishme të jetë pjesë aktive e proceseve të bashkëpunimit rajonal dhe të përfitojë nga përvojat që ndihmojnë në procesin e integrimit evropian.
Ai shtoi se vendi mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe nuk do të tërhiqet nga ky orientim strategjik, pavarësisht pengesave në procesin e anëtarësimit. Ai tha se vendi po vazhdon reformat në fusha kyçe si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, arsimi, shëndetësia dhe ekonomia.
Duke folur për diplomacinë parlamentare, ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të Kuvendit dhe deputetëve në ngjarje ndërkombëtare, me qëllim forcimin e miqësive, bashkëpunimit dhe unitetit në plan global.
Gashi potencoi karakterin multietnik të vendit dhe nevojën për ndërtimin e bashkëjetesës, tolerancës dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke shtuar se stabiliteti dhe zhvillimi i vendit janë të lidhura ngushtë me prosperitetin e gjithë rajonit.
Në këtë kontekst, ai veçoi anëtarësimin në NATO në vitin 2020 si një arritje strategjike që ka forcuar sigurinë dhe sovranitetin e shtetit. “Ky është një hap i rëndësishëm në përforcimin e sigurisë dhe stabilitetit tonë dhe është garanci e fuqishme për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Në fund, kryeparlamentari Gashi theksoi rëndësinë e projekteve infrastrukturore si Korridoret 8 dhe 10 si dhe bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e turizmit, duke theksuar se këto fusha janë kyçe për rritjen ekonomike dhe afrimin e vendeve të rajonit.


