Dje, Komuna e Aerodromit për herë të tretë pulsoi në ritmin e humanizmit dhe shpirtit sportiv. Më shumë se dy mijë qytetarë vrapuan kilometra të mbushura me dashuri dhe mirëkuptim, ndërsa fëmijët treguan edhe një herë se kjo ngjarje është në kuptimin e vërtetë të fjalës – “Gara e heronjve në të gjitha ngjyrat” – dhe vrapuan me guxim në emër të humanizmit, dashurisë dhe një bote të barabartë për të gjithë.
Nga edicioni i tretë i garës “Zegin Spektraton – Gara e heronjve në të gjitha ngjyrat”, e cila është në organizim të kompanisë Zegin dhe Fondacionit Dr. Verica Mehaxhinska, do të dhurohen gjithsej rreth 50,000 euro, nga të cilat 18,000 euro u mblodhën nga tarifat e të gjithë pjesëmarrësve të regjistruar, ndërsa Fondacioni Dr. Verica Mehaxhinska do të dhurojë fondet e mbetura, me të cilat këtë vit do të ndihmohen disa shoqata, si më poshtë:
Shoqata Special Olympics – Maqedoni – Projekt për aktivitete sportive gjithëpërfshirëse për persona me çrregullim të spektrit të autizmit dhe aftësi të kufizuara intelektuale.
Shoqata për Teknologji Asistence “Hapni Dritaret” – Projekt për mbështetjen e prindërve të fëmijëve me autizëm në procesin e realizimit të të drejtave, sigurimin e shërbimeve të përshtatshme dhe aplikimin e mjeteve të teknologjisë asistuese, komunikimit alternativ dhe augmentativ.
Shoqata për Promovimin dhe Zhvillimin e Shoqërisë Gjithëpërfshirëse “Inkluziva” – Projekt: Ndërtimi dhe pajisja e një qendre kreative për persona neurodivergjentë në Kumanovë.
Organizatorët deklaruan me krenari se Zegin Spektraton po bëhet një ngjarje gjithnjë e më popullore dhe shprehën mirënjohje për të gjithë qytetarët dhe kompanitë që gjithnjë e më shumë e njohin dhe e mbështesin këtë iniciativë, qëllimi i së cilës është të ndihmojë personat me spektrin e autizmit. Ngjarje të tilla janë tregues se përgjegjësia shoqërore duhet të jetë një segment i rëndësishëm për të gjitha kompanitë dhe individët, të cilët mund të ndihmojnë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së atyre që kanë më shumë nevojë.


