Me temperatura të ulëta të mëngjesit nga minus 15 deri në temperaturën më të lartë të ditës 5 gradë celsius do ta përcjellim edhe këtë javë. Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, thonë se nesër në vendin tonë do të mbizotërojë mot i ngjashëm sikurse ditën e sotme, me vranësira të ndryshueshme dhe në disa vende edhe me paraqitje të mjegullave.
“Gjatë ditës së nesërme do të kemi mot të ngjashëm, me vranësira të ndryshueshme, me periudha me diell, nëpër lugina do të ketë paraqitje të mjegullave dhe vranësira të ulëta. Ndërkaq nëpër male dhe vende më të larta, do të ketë periudha me diell. Temperatura e mëngjesit në vendin tonë në ditën e nesërme pritet të ulen prej minus 15 deri në minus gjashtë. Ndërkaq, ajo e ditës, nga minus 1 deri në 5 gradë celsius”, ka deklaruar Dushanka Tanushevska, meteorologe.
Ndërkaq, reshje të reja të borës priten mbrëmjen e ditës së hënë kah dita e martë, me temperatura në rritje e sipër.
“ Të hënën kah fundi i ditës pritet rritje e vranësirave dhe gjatë mbrëmjes drejt të martes do të kemi reshje të kohëpaskohshme të borës, të cilat në pjesët juglindore të vendit, do të jenë të shoqëruara edhe me shi. Temperaturat do të jenë në rritje kur të ketë vranësira, dhe posaçërisht reshje të borës dhe shiut”, shtoi ajo më tej.
Meteorologët parashikojnë mot stabil nga dita e mërkurë, me temperatura më të ulëta të mëngjesit, ndërkaq gjatë ditës me temperatura relativisht të përshtatshme për këtë periudhë të vitit.