Shtatë vite DAP dhe Ministria e Financave kanë lejuar disa individë dhe kompani të pasurohen në llogari të buxhetit. Në këtë mënyrë, prokurorja speciale, Katica Janeva e filloi konferencën e djeshme, ku u zbuluan katër raste të reja për krim financiar. Janeva në paraqitjen hyrëse akuzoi se Institucionet nuk i kanë kryer obligimet ligjore. Alsat M iu drejtua DAP-it dhe Ministrisë së Financave. Kërkuam përgjigje pse nuk i kanë detektuar dyshimet e mundshme për evazion në lëndët “Total” dhe “Tifani”. DAP me përgjigje pa përmbajtje.
Të dhënat dhe informatat, dorëzimi i të cilave mund të paraqet shkelje të besueshmërisë së procedurës tatimore, gjegjësisht të gjitha dokumentet, informacionet, informatat, ose faktet tjera për obligues tatimor tek të cilët DAP, gjegjësisht personi zyrtar i ka mësuar në procedurë tatimore, kudnërvajtëse ose gjyqësore, nuk janë lëndë e komunikimit me opinionin dhe mediat.
Nga Ministria e Financave thonë se vështirë mund të komentohen pohimet e Speciales
Deklaratat mund të jenë të vërteta ose të pavërteta. Ndërsa Ministria e financave nuk është kompetente që ta kontrollojë vërtetësinë e tyre, por se kompetente është gjykata – kumtojnë nga Ministria e Financave.
Dy nga katër rastet e reja të Speciales janë për evazion fiskal. Përmes lëndëve “Total” dhe “Tifani”, Janeva do të tentojë të dëshmojë se kompani dhe individë nuk e kanë paguar tërësisht tatimin e shtetit. Ato kanë blerë sende të shtrenjta për vete në emër të kompanive. Neni 279 nga Kodi Penal për evazion fiskal parasheh dënime me burg. Nëse shuma e obligimit të papaguar ndaj shtetit ka vlerë më të lartë, dënimi është me burg është prej 6 muaj deri pesë vite dhe dënim në të holla. Nëse evazioni është shumë më i lartë, dënimi me burg është minimum 4 vite. Krahas lëndëve “Total” dhe “Tifani” Specialja zbardhi dy lëndë tjera. Bëhet fjalë për rastet “Tabela” dhe “300”. Në këto lëndë dyshohen ndihmës ministri për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta në MPB për furnizim të automjeteve zyrtare dhe drejtori i një shkolle fillore në fshatin Zajaz për shpërdorim të detyrës zyrtare.

