Policianë Gjeorgji hodhi gaz lotsjellës dhe topa uji kundër turmave që protestonin kundër një projektligji që opozita e konsideron si sulm kundër lirive dhe të drejtave të medias dhe jo vetëm. Mijëra njerëz duke valëvitur flamujt e Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Evropian u mblodhën jashtë parlamentit për të dytën natë për të protestuar kundër asaj që ata e shohin si një ligj të frymëzuar nga Rusia.
Deputetët miratuan të mërkurën leximin e dytë të projektligjit të diskutueshëm të “agjentit të huaj”. BE paralajmëron se mund të dëmtojë ambiciet e Tbilisit për t’u bashkuar me bllokun perëndimor. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të mërkurën se ajo po ndiqte ngjarjet në Gjeorgji me “shqetësim të madh”.
Në një postim në X, dikur Twitter, ajo shtoi: “Populli gjeorgjian dëshiron një të ardhme evropiane për vendin e tyre. Gjeorgjia është në një udhëkryq. Ajo duhet të qëndrojë në rrugën drejt Evropës.”. Projektligji mori 83 vota pro dhe 23 kundër. Nëse ai bëhet ligj, organizatave do t’u kërkohet të deklarojnë nëse janë financuar nga jashtë.
Partia qeverisëse e Gjeorgjisë dëshiron që pr/ligji të miratohet deri në fund të muajit, por kritikët thonë se është autoritar. Vendi është tronditur nga protesta javësh për këtë çështje. Të martën mbrëma, pati përleshje të ngjashme mes policisë dhe protestuesve në Avenue Rustaveli, jashtë parlamentit. Disa njerëz u plagosën, duke përfshirë Levan Khabeishvili, kryetar i partisë kryesore opozitare Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (UNM). Ai postoi një foto të fytyrës së tij të mavijosur në rrjetet sociale dhe më vonë u shfaq në parlament, me fytyrën të fashuar rëndë.
(BalkanWeb)