Një incident i rëndë me tone etnike ka ndodhur mbrëmë në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku në prani të krerëve të shtetit, përfshirë Kryeministrin Hristijan Mickoski, përfaqësues të koalicionit VLEN, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe zyrtarë të tjerë të lartë, tifozë maqedonas kanë shpërthyer në kore fyese kundër shqiptarëve.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar Arben Taravari, duke e dënuar ashpër atmosferën e urrejtjes që u krijua në një ngjarje sportive e që u tolerua nga vetë institucionet.
“Neve, shqiptarëve, na është sharë nëna, familja, origjina, fisi dhe fara në kor nga tifozë maqedonas! Kryeministri heshti dhe hesht… duket sikur po merrte përgjigjen e asaj që vetë nxiti disa ditë më parë, duke hedhur benzinë mbi zjarr me deklarata si ‘kaur’,”shkroi Taravari.
Ai theksoi se edhe pse zgjedh të qëndrojë i qetë, një gjuhë e tillë e urrejtjes duhet dënuar pa asnjë kompromis, sepse rrezikon jo vetëm bashkëjetesën në vend, por edhe stabilitetin në rajon.
“Kanë ulëritur për një Maqedoni të pastër, pa shqiptarë. Ç’të them?! Do zgjedh si gjithnjë qetësinë, por kjo frymë që mban erë Serbi – e madje më larg – duhet patjetër shuar,” përfundon reagimin e tij Taravari.