Bashkimi Demokratik për Integrim, si prijëse e Frontit Europian, për momentin nuk ka në plan të protestojë, siç kanë paralajmëruar, për të mbrojtur legjitimitetin e votuesit shqiptar, por kjo nuk do të thotë se nuk e kanë në plan një gjë të tillë për më tutje.
Siç tha për TV21 nënkryetari I BDI-së, Arbër Ademi, në takimin e djeshëm të partisë nuk është hedhur poshtë mundësia për të organizuar protesta. Thotë se të gjitha format dhe mekanizmat demokratike për shprehje të vullnetit politik janë pjesë e agjendës së tyre.
Mickoski, thotë se mirëpret çdolloj forme demokratike të protestave por shton se nuk do të tolerojë protesta të dhunshme. Nëse protestat eskalojnë, thotë se Qeveria do të ndërmarrë masa për të ruajtur sigurinë e qytetarëve.
Deri tani nga Fronti Europian ende nuk kanë konfirmuar nëse do të organizojnë protesta rrugëve por më 13 gusht, në shënimin e 23 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, paralajmëruan masa ligjore dhe politike për mbrojtjen e legjitimitetit. Si shembuj të masave politike, morën parimet dhe praktikat nga Irlanda e Veriut, Belgjika e Zvicra. I pyetur për protesta të mundshme, zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti tha se BDI nuk ka kauzë as kombëtare as politike, por se e kanë të vështirë të qëndrojnë në opozitë pas 20 viteve në pushtet./Tv21