FR BDI: Reagim Publik!
Me indinjatë dhe shqetësim të thellë kemi ndjekur zhvillimet gjatë ndeshjes sportive në Kumanovë ku fatkeqësisht, u dëgjuan thirrje të hapura antishqiptare, shoviniste dhe raciste si: “Shqiptari i mirë është ai i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, dhe “Maqedonia është vetëm e maqedonasve”.
Këto akte janë të papranueshme dhe cenojnë jo vetëm dinjitetin e një populli, por edhe vetë frymën sportive, e cila duhet të jetë simbol i respektit, barazisë dhe bashkimit përtej dallimeve. Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e Evropës dhe e vlerave të saj themelore si barazia, dinjiteti njerëzor dhe respekti ndëretnik.
Përgjegjësia bie mbi organizatorët, institucionet sportive dhe autoritetet që kanë për detyrë të sigurojnë një ambient të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë pjesëmarrësit, pa dallim kombësie, feje apo përkatësie etnike.
U bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, veçanërisht Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të veprojnë me urgjencë dhe të iniciojnë procedura ndaj personave që kanë shfaqur gjuhë urrejtjeje dhe thirrje për dhunë – sipas Kodit Penal dhe ligjeve në fuqi për ndalimin e diskriminimit dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike.
Gjithashtu, ftojmë faktorin ndërkombëtar, qytetarët, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe liderët politikë të të gjitha komuniteteve të reagojnë me vendosmëri dhe të mos heshtin përballë këtij SKANDALI!
Ne qëndrojmë fuqishëm për një sport të pastër, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Respekti është baza e çdo shoqërie të civilizuar!