Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja po i nënshtrohet vetting-ut. Këtë të premte është mbajtur edhe seanca e parë për verifikimin e figurës së tij profesionale, pasi në vitin 2009 dhe 2010, Ndoja ka rezultuar se ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion.
Në përfundim të seancës dëgjimore, Prokurori i Durrësit është larguar nga ambientet e institucionit të drejtësisë. Në një çast ai ka ulur kokën teksa ka qenë duke ecur në ambientet e jashtme.
Ndërkohë, mësohet se DISK ka konstatuar përshtatshmëri të figurës për prokurorin Ndoja. Sipas DISK, dyshohet edhe se ai ka favorizuar persona me precedentë penalë gjatë detyrës së tij.
Kujtojmë se Ndoja u përshi në një atentat në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, ku mbeti i plagosur ai vetë, shoferi Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar si Aleksandër Laho- emri i vërtetë i të cilit është Landi Muharremi i dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar. Ndërkohë vetë Ndoja lidhur me këtë atentat shprehet se ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë.
Në lidhje me dosjet hetimore që thuhet se u gjetën në makinën që iu bë atentat, ai tha se kjo është një akuzë e rëndë duke theksuar se më herët në prokurorinë e Durrësit janë vjedhur dosje dhe kompjuterë.
“Para se të vdiste, Andi Maloku tha se dosjet ishin për personin s.d dhe do t’ia çonte atij“, tha Ndoja.
Prokurori Arjan Ndoja u targetua në fillim të tetorit të 2019 nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula. Ndërkohë më herët, Ndoja është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u rrëzuan nga Prokuroria.



