Agjencitë kineze të ndihmës në fatkeqësi dërguan të dielën 20 000 sende ndihme në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang në jugperëndim të vendit, për të ndihmuar të prekurit nga përmbytjet e shkaktuara nga tajfuni “Narra”. Ndihma, dërgimi i së cilës u urdhërua nga Zyra e Komisionit Kombëtar për Pakësimin dhe Ndihmën në Fatkeqësi, Ministria e Menaxhimit të Emergjencave dhe Administrata Kombëtare e Rezervave Ushqimore dhe Strategjike, përfshin shtretër të palosshëm, jorganë verorë, peshqirë, batanije, mushama shiu dhe çizme.
Në të njëjtën kohë, në kuadër të një mekanizmi emergjent bashkërendimi publik–privat, qeveria bashkëpunoi me 10 fondacione dhe platforma sociale, si Fondacionin “Tencent”, Fondacionin “Bytedance” të Pekinit, Fondacionin “Meituan” të Pekinit dhe Qendrën Kineze të OJQ-ve për Pakësimin e Rrezikut të Fatkeqësive (CNCDRR), për të dërguar 27 000 sende të tjera, si shishe me ujë, makarona çasti, bukë, kova, dyshekë gjumi dhe komplete emergjence familjare.
Ndihma synon të mbështesë evakuimin, strehimin e përkohshëm dhe ndihmën për banorët e zhvendosur për shkak të shirave të dendur dhe përmbytjeve të shkaktuara nga tajfuni. “Narra”, stuhia e 19-të e emërtuar e sezonit të vitit 2026 në Paqësor, ka goditur pjesë të Guangxi-së që nga 21 gushti, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit dhe përmbytje. Organet e pushtetit vendor kanë kryer evakuime në shkallë të gjerë, dhe deri më tani nuk janë raportuar viktima.
Furnizimet pritet të mbulojnë nevojat bazë të mijëra njerëzve të zhvendosur, ndërsa rajoni vazhdon të trajtojë dëmet nga stuhia dhe të rivendosë normalitetin.
Dy stuhi të tjera po lëvizin në rajon: tajfuni “Saudel” – i 18-ti – po forcohet mbi Paqësorin Perëndimor dhe mund të arrijë fuqinë e supertajfunit, ndërsa tajfuni “Gaenari”, i 20-ti, u formua më 22 gusht në brigjet e Japonisë. Kjo situatë e rrallë e “tre tajfuneve njëkohësisht” e ka shtyrë qeverinë kineze të aktivizojë përgjigjet emergjente të Nivelit IV për Guangdong-un, Guangxi-në dhe Hainan-in. Ndër tre këto tajfune, “Narra” përbën kërcënimin më të menjëhershëm për Kinën Jugore.



