24 gushti, Dita e Kujtesës për vuajtjet e të internuarve në kampet e Savrës, Gjazës, Kosovës së Madhe, Plukut dhe zonave të tjera të internimit, u përkujtua në Lushnje me një sërë aktivitetesh ku morën pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, përfaqësues të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe ish-të përndjekur politikë.
Aktivitetet nisën te Memoriali i Kujtesës në Lushnje, ku u vendosën kurora me lule në nderim të viktimave të regjimit komunist. Më pas ceremonitë vijuan në Savër, një nga qendrat më të mëdha të internimit në vend, ku pranë memorialit me emrat e të internuarve u mbajtën fjalë përkujtimore.
Drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Gentjana Sula, tha se Dita e Kujtesës duhet të shërbejë jo vetëm për të kujtuar vuajtjet e të internuarve, por edhe për të plotësuar detyrimet që shteti ka ende ndaj tyre.
“Shpreh dhimbjen dhe keqardhjen e thellë për atë që nuk u ndodhi familjeve pas viteve ’90. Na duhet të marrim masa aktive. Shumë njerëz ikën pa marrë përgjigje e pa e ndjerë dorën e shtetit. Ndjesa e shtetit duhet të jetë e thellë dhe e dëshmuar me vepra, jo vetëm me fjalë, me njohje ligjore, drejtësi, kërkim për të zhdukurit, vendet e kujtesës dhe garancinë e mos përsëritjes”, u shpreh Sula.
Presidenti Bajram Begaj theksoi se vendet e internimit janë dëshmi e shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut gjatë regjimit komunist dhe se kujtesa për to duhet të ruhet.
“Ky vend është dëshmi se si të pafajshëm janë privuar nga të drejtat themelore njerëzore, liria dhe jeta normale. Ajo që na mbledh bashkë nuk është një përkujtim i thjeshtë, por një detyrim ndaj së sotmes dhe një përgjegjësi ndaj së ardhmes për të mos harruar”, tha Begaj.
Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, bëri të ditur se në Savër do të ngrihet një muze që do të pasqyrojë historinë e internimeve dhe vuajtjet e mijëra familjeve që kaluan në këto kampe.
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Antikomunistë, Ethem Fejzullahu, i kërkoi Presidentit që të vihet në vend dinjiteti i të internuarve dhe ata të dëmshpërblehen me pensione speciale për vitet e vuajtjeve.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së të Internuarve dhe të Përndjekurve të Lushnjës, Shpëtim Brahamaj, kërkoi që historia e internimeve të përfshihet në tekstet shkollore, në mënyrë që brezat e rinj të njihen me atë periudhë.
Pas ceremonisë, të pranishmit vizituan ekspozitën e ngritur për këtë ditë dhe panë nga afër barakat ku kanë jetuar të internuarit.
Aktivitetet përkujtimore vijuan edhe në Gjazë, Kosovë të Madhe dhe Pluk, vende që regjimi komunist i përdori për internimin e kundërshtarëve politikë. Në Gjazë, pranë memorialit të Ernest Koliqit, deputeti Saimir Korreshi u shpreh se Lushnja ka shumë vende kujtese që duhet të ruhen për të dëshmuar vuajtjet e të internuarve.
The post Kremtohet ‘Dita e Kujtesës’ në Savër, të përndjekurit kërkojnë drejtësi e dëmshpërblim. Presidenti Begaj: Kemi detyrim të mos harrojmë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


