Ky është Nikoll Radaçi, drejtuesi i automjetit tip “Benz” që përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër mesditën e kësaj të diele në zonën e ish Kënetës në Durrës.
57-vjeçari ka rezultuar në gjendje të dehur. Pasi u ndalua nga policia, atij i është bërë testi i alkoolit, ku ka rezultuar pozitiv. Sipas informacioneve, ai njihet si një person problematik në zonë.
Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 14:20, teksa fëmijët po luanin me top. Radaçi ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë ku ka përplasur të miturit, dy prej të cilëve i ka marrë përpara zvarrë.
Dy ndërruan jetë në vend, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë te spitali i Traumës.
NJOFTIMI I POLICISE:
Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.


