Vetëm një ditë pasi Gjykata e Posaçme miratoi masën e sigurisë “arrest në burg” për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, avokati i tij, Genc Gjokutaj, ka shkuar në ambientet e burgut “313”, për të takuar klientin e tij, i cili u transportua aty që dje.
Raportohet se shkaku i këtij takimi është bërë përgatitja që po bëhet për ankimin për në gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Kujtojmë që ditën e djeshme GJKKO la në fuqi masat e mëparshme të sigurisë edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, ndaj Ema Çokut për detyrim paraqitje, si dhe ndryshoi masën për Piro Xhixhon nga arresti në shtëpi në detyrim paraqitje.
Të katër janë persona nën hetim si të dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Ditën e djeshme (23 tetor) u raportua se Ilir Meta iu drejtuar me fjalë fyese e kërcënuese drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, i cili ishte i pranishëm në seancë.
Akuzat që rëndojnë ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim,
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Ndaj të atit të deputetës së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Së fundmi, ndaj Ema Çokut, u caktua masa e sigurisë “ detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprës penale ““Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.