Komuna e Bogovinës do të bëhet me Shtëpi Kulture. Informacionin e ka bërë të ditur kryetari I komunës, Albon Xhemaili I cili ka theksuar se tash më është nënshkruar marrëveshja me Ministrinë e Kulturës dhe janë siguruar mjetet financiare për realizimin e fazës së parë të projektit në vlerë prej 25.000.000,00 denarë.
“Me ministrin z. Hysni Ismaili në Ministrinë e Kulturës, është nënshkruar marrëveshja për realizimin e ndërtimit të Shtëpisë së kulturës në Komunën e Bogovinës, për të cilën janë siguruar mjete financiare në vlerë prej 25.000.000,00 denarë. Këto mjete financiare janë siguruar vetëm për fazën e parë të projektit”, ka njoftuar kryetari Xhemaili.
Ndryshe, Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot realizoi takim pune me kryetarët e komunave: Likovë, Bogovinë, Vrapçisht, Manastir, Krushevë dhe Qytetit të Shkupit në të cilën u bisedua për mjetet e miratuara të dotacioneve kapitale në fushën e kulturës në vitin 2019. Pas takimit, ministri i Kulturës dhe gjashtë kryetarët e komunave nënshkruan një Marrëveshje për realizimin e Programit për shfrytëzimin e mjeteve të dotacioneve kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale në fushën e kulturës për këtë vit.
Përndryshe, në pajtim me Programin e Qeverisë, mjetet e miratuara në lartësi prej 117.056.131 denarë do të dedikohen për rinovimin e ndërtimeve dhe mbindërtimeve të Qendrës Kongresore Salla Universale – Shkup, ndërtimin e Shtëpisë Përkujtimore të Toshe Proeskit, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Komunën e Bogovinës, rinovimin dhe përshtatjen e Qendrës së Kulturës “Shota” f. Negotinë, Komuna e Vrapçishtit, rregullimin e brendshëm të ndërtesës “Kinemaja Manaki” – Manastir, dhe projekte të tjera kapitale në kulturë në njësitë e vetëqeverisjes lokale.
Qëndrim i përbashkët i ministrit të Kulturës dhe kryetarëve të komunave është që realizimi i projekteve në të gjashtë njësitë e vetëqeverisjes lokale do të ketë ndikim të madh në zhvillimin dhe avancimin e jetës kulturore në këto komuna veçmas, por njëkohësisht do të jetë edhe një impuls i ri në avancimin e ofertës kulturore në territorin e vendit tonë në përgjithësi.





