Prej më shumë se dy vitesh, Interpol Tirana kishte siguruar informacione se Ervin Mata fshihej në Brazil, vend ku edhe u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se 39 vjeçari jetonte mes Brazilit dhe Paraguait. Në momentin që u ndalu, Mata i dorëzoi policisë vendase dokumente të falsifikuara të Paraguait me vendlindje në Mbretërinë e Bashkuar, mjet identifikimi që skadonte në 2030-ën.
Po ashtu Mata posedonte dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara, si një kartë identiteti dhe pasaportë bullgare.
Sipas burimeve, gjatë arrestimit në periferi të San Paolos, ai u kap me disa shtetas të tjerë, pjesë e narkotrafikut.
Mata rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK që prej vitit 2023 për përfshirje në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në disa shtete.


