Gjykimi për rastin “Fortesa2” filloi në mungesë të të akuzuarit kryesor Goran Grujovski për të cilin gjykata konstatoi se është në arrati. Dëshmuan dëshmitarë dhe të akuzuar dhe u shpalosën fakte që në disa momente publiku nuk mundej t’i ndjekë, pasi ishin informata të karrakterit të fshehtë. Një prej të akuzuarave për shkatërrimin e dokumenteve mbi përgjimin mohon fajësinë dhe thotë se ia kanë montuar punën. E akuzuara i tha gjykatës se ajo nuk e ka ditur se po jep nënshkrim si provë për shkatërrimin e dokumenteve, pasi siç tha, eprorja e saj vetëm ja ka vendosur dokumentin në fletën e fundit dhe i ka thënë se duhet të nënshkruhen gjithë sekretareshat për gjëra të përditshme.
“Nuk e dija se jam vendosur në ndonjë komision të tillë pasi unë isha vetëm sekretareshë. Eprori im më tha se ti vetëm duhesh të bësh ndonjë kafe aty për komisionin dhe duhet t’i sjellësh qeset e zeza. Nuk kam shikuar se çfarë ka në ato qese. Eprorja vetëm ma solli dokumentin dhe më tha se duhet të nënshkruhem këtu për gjëra të përditshme, sikurse gjithë sekretareshat e tjera”, ka deklaruar e akuzuara për shkatërrim dokumentacionesh zyrtare.
Por, nga ulëset e gjykatës dëgjoheshin mohimet e eprores po ashtu të akuzuar e cila i thoshtë “gënjeshtër, gënjen”.
LUPÇO SHVRGOVSKI, AVOKAT
“Në njëfarë mënyrë ajo deshi t’ia kalojë fajin klientes sime se gjoja ajo ia ka imponuar një letër të cilën ajo se ka ditur se çfarë është. Pohonte se madje edhe herën e dytë kur është nënshkruar në vërtetimin për mbarimin e procesit ajo përsëri nuk e ka ditur se çfarë nënshkruar që është e pakuptimtë. Ajo deklaratë e dhënë në PSP nuk mund të përdoret në gjykim pasi atje ishte në cilësinë e dëshmitarit ndërsa tani është e akuzuar“.
Ndaj kësaj deklarate reagoi Prokuroria Speciale e cila e pyeti të akuzuarën përse në deklaratën e parë në PSP kishte thënë se në qese ka gjësende të panevojshme, ndërsa më pas pohon se nuk ka kontrolluar fare se çfarë ka në qese? Por meqë deklaratën e parë ajo e kishte dhënë në cilësinë e dëshmitares, gjykata nuk e pranoi pyetjen e tillë të prokurorisë. PSP dyshon se njëra prej deklaratave është dhënë nën presion.
LENÇE RISTOVSKA, PROKURORE
“Ne prandaj e parashtruam pyetjen që të zbulohen motivet. Përse kjo e akuzuar por edhe disa të tjerë që kanë dhënë tek ne deklaratë, pastaj në gjykatë e ndryshojnë deklaratën. Por ja kjo ngeli e pasqaruar. Më tej gjatë procedurës ndoshta do jepen këto përgjigje. Secili i akuzuar ka të drejtë për të dhënë dëshmi nëse vlerëson se kjo i shkon në favor…Gjykata përfundimisht mund të bëjë vlerësimin e deklaratës nëse është ose jo relevante”.
Gjatë seancës gjyqësore dëshmuan edhe dy të punësuar në MPB ndërsa njëri kundërshtoi deklarimin për shkak se njëra prej të akuzuarave ishte nëna e tij. Njëri prej tyre epror në drejtorinë e tretë, i cili tha se ai ka qenë dëshmitar i shkatërrimit, por nuk e ka ditur se për çfarë bëhet fjalë pasi këto aktivitete të djegies së dokumenteve të panevojshme ishin praktikë. I punësuari tjetër në DSK e vërtetoi po ashtu se dokumentet ishin djegur me qese të zeza najlloni dhe për të kishte qenë shumë i dyshimtë ky fakt. Kjo pasi më herët ishin djegur fletushka të vogla të autorizimeve dhe harxhimeve të ndryshme që ishin dukur qartë, ndërsa tani djegia ishte bërë tërësisht e kamufluar.
Seanca e ardhshme është anuluar për pas një muaji, pasi duhet shqyrtuar një mori provash mbi procesin e shkatërrimit të pajisjes së përgjimit që lidhet pastaj me shkatërrimin e dokumentacionit mbi këtë veprim.
Ferikan Iljazi Arifi

