Qeveria e re do të jetë gati nga fundi i janarit ose fillimi i muajit shkurt. Afatet e parapara në kodin zgjedhor, por edhe vetë procedurat ligjore bëjnë që deri në fund të këtij muaji të bëhet vetëm konstituimi i Kuvendit, por edhe kjo fazë mund të zgjatet nëse procesi zgjedhor nuk përmbyllet me votimet që u mbajtën dy ditë më parë. Sipas kodit zgjedhor dhe afateve të vendosura në Kushtetutë, Kuvendi duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, afat ky që përfundon ditën e fundit të këtij viti, shkruan SHENJA.
Pas konstituimit të Kuvendit, presidenti i shtetit i jep mandatin liderit të partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare dhe i njëjti duhet që brenda 20 ditëve t’i propozojë Kuvendit programin për punën e Qeverisë dhe kabinetin qeveritar. Sipas këtij, kalendari dhe nëse procesi zgjedhor përmbyllet me votimet e së dielës, atëherë Qeveria e ardhshme pritet të formohet më së voni në fund të muajit janar. Por, në rast se të paktën vetëm në një vendvotim ka përsëritje të votimeve, atëherë të gjitha afatet shtyhen për deri më 20 ditë të tjera. Në atë rast rivotimi do të ndodhte më 25 dhjetor, ndërsa konstituimi i Kuvendit do të bëhej në 20 ditët e ardhshme apo më së voni deri më 15 janar. Në këtë rast zgjedhja e Qeverisë së re prolongohet poashtu për 20 ditë të tjera dhe afati i fundit shtyhet deri më 5 shkurt. Por, në këto afate Qeveria mund të zgjidhet vetëm në rast se partia fituese arrin të sigurojë koalicionin me shumicë prej 61 deputet e më tepër. Nëse partia e parë dështon në këtë afat, atëherë presidenti i jep mandatin partisë e cila ka dalë e dyta me rezultat në zgjedhjet e 11 dhjetorit dhe ajo ka poashtu 20 ditë afat që të formojë koalicionin prej 61 deputetëve dhe të propozoj në Kuvend kabinetin e ri qeveritar. Kjo procedurë ndiqet edhe për partitë e radhës nëse partitë e para dështojnë, deri në kalimin e të gjitha partive parlamentare. Nëse asnjëra nuk siguron shumicën atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare.
Kur do të konstituohet Kuvendi i ri dhe kur do të zgjidhet Qeveria e re do të mësohet saktësisht deri të premten. Sot deri në ora 19:00 partitë kanë afat për dërgimin e ankesavenë KSHZ, ndërsa KSHZ brenda 48 orëve duhet të vendos për të njëjtat. Pas përfundimit të këtyre procedurave bëhet edhe certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe mbyllja e zgjedhjeve. Siç duket certifikimin e rezultatit zgjedhor do ta pres edhe ministri i Punëve të Brendshme dhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale. Oliver Spasovski dhe Frosina Remenski ende nuk kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre dhe vazhdojnë të qëndrojë në krye të dy ministrive. Kjo është konfirmuar edhe zyrtarisht, ndërsa jozyrtarisht pritet që ata të mbajnë postet deri në përmbylljen e të gjitha procedurave dhe afateve që parasheh kodi zgjedhor lidhur me zgjedhjet e së 11 dhjetorit.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Formimi i qeverisë mund të zgjasë deri në shkurt by tvshenjaofficial