Fondacioni Turk Maarif (TMV) ka shtruar sofër iftari në shkollën e fondacionit në kryeqytetin Shkup, raporton Anadolu.
Në programin e iftarit morën pjesë ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limani, ambasadori turk në vend Fatih Ulusoy, deputetë nga Maqedonia e Veriut, përfaqësues të institucioneve turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Limani në fjalën e tij në program shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në këtë program, duke kujtuar se “ky muaji i mbushur me paqe, reflektim e mirëkuptim është një kohë e veçantë për çdo besimtar dhe është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet tona”.
“Në këtë frymë dëshiroj të theksoj se jemi të hapur dhe të gatshëm për çdo mundësi të bashkëpunimit dhe të mbështetjes për zhvillimin e kopshteve të fëmijëve si një hap i rëndësishëm për sigurimin e një të ardhme të ndritur për brezat që vijnë”, tha Limani.
– “Arsimi është një dimension i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë me Maqedoninë e Veriut”
Ndërkaq, ambasadori Ulusoy në fjalën e tij tha se stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, janë ndër prioritetet e politikës së jashtme të Türkiyes.
Ambasadori turk tha se vendi i tij që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e ka mbështetur dhe do të mbështesë këtë vend me institucione të ndryshme.
“Arsimi është një dimension i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë me Maqedoninë e Veriut. Arsimi është një nga elementët më të rëndësishëm që formëson të ardhmen e një shoqërie. Duke ofruar arsim në të gjitha nivelet në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2018, shkollat e Fondacionit Turk Maarif shërbejnë si një urë lidhëse që çojnë përpara jo vetëm individët, por edhe shoqërinë tonë”, tha ai.
Anëtari i bordit drejtues në TMV, Muhammet Murtaza Yetiş, tha se Shkollat Maarif përpiqen t’u mësojnë nxënësve se si ta gjejnë sekretin brenda vetes.
“Ne po përpiqemi t’u mësojmë mijëra fëmijëve se si ta gjejnë këtë rrugë me 450 shkollat tona në 55 vende të botës”, tha ai.
Përfaqësuesi i TMV-së për Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgül, nga ana e tij, informoi rreth punës së shkollave të fondacionit.