Fondacioni dr. Verica Mahanxhiska dhe Zegin ndanë 14 bursa për studentët e regjistruar në ciklin e parë dhe të dytë të integruar të studimeve në Fakultetin e Farmacisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Këto bursa janë të orientuara drejt mbështetjes dhe inkurajimit të profesionistëve të ardhshëm në shkencat farmaceutike.
Farmacistët luajnë një rol jetik në kujdesin shëndetësor. Ata sigurojnë përdorimin e sigurt të barnave, mbështesin mjekët dhe i udhëzojnë pacientët drejt një shëndeti më të mirë. Ndarja e këtyre bursave u mundëson studentëve të ndihen të mbështetur, të arrijnë rezultate më të mira akademike dhe të kontribuojnë më tej në mënyrë domethënëse në sistemin shëndetësor.
Kristina Mahanxhiska Georgievska, një nga pronaret e kompanisë Zegin, theksoi:
“Ky bashkëpunim është rezultat i një vizioni të përbashkët, ku arsimi dhe njohuria e kuadrove të reja janë themeli i zhvillimit të profesionit farmaceutik dhe të sistemit shëndetësor në vendin tonë. Përmes këtyre bursave investojmë te ata që tregojnë përkushtim, përgjegjësi dhe dëshirë të sinqertë për përparim. Kjo veprimtari realizohet nga Fondacioni dr. Verica Mahanxhisjka, i cili ndër të tjera është i përkushtuar edhe në motivimin e zhvillimit shoqëror përmes mbështetjes së kapitalit njerëzor.”
Dekani i Fakultetit të Farmacisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, prof. dr. Zoran Sterjev, shprehu mirënjohje për mbështetjen e studentëve dhe theksoi se në këtë mënyrë ata mund të fokusohen në mësim dhe zhvillimin e aftësive me qëllim që të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë. Ky program mbështetës u mundëson studentëve të kapërcejnë barrierat financiare dhe i jep secilit mundësinë për të arritur rezultate më të mira akademike.
Kjo iniciativë thekson përpjekjet e vazhdueshme të Fondacionit dr. Verica Mahanxhiska dhe kompanisë Zegin për të kontribuar në zhvillimin shoqëror dhe në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë.


