Agron VOJNIKA
A po degjeneron kombi im, apo këtë përshtypje po e fitoj vetëm atëherë kur hapi rrjetet sociale në internet.
Para një viti, kur u ngrit droni mbi Beograd, kroatët na cilësuan si një popull të mençur, si një popull që di ti trajnojë (zbusë) edhe majmunët. Pa dashur të fyej asnjë komb, qoftë edhe atë serb që kërkonte vdekjen e shqiptarëve, por më brengos fakti se kroatët mund ta kenë pasur vetëm për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, sepse ky konstatim aspak nuk përkon me realitetin e shqiptarëve të Maqedonisë, sepse ajo që shikoj nëpër rrjetet sociale, më shumë ma kujton faktin se majmunët mund të jemi ne!… Mjafton një “shka i shkinës” nga Beogradi të botojë disa fotografi të mara gjetkë nëpër sajtet pornografike, apo disa shkrime kinse të nxjerra nga dosjet e shërbimeve të fshehta dhe ne te gjithë kërcejmë e dalim me konkluzionin se ky njeri aq shumë po na do dhe po na i hap sytë.
E asnjëri nuk merr mundimin që të analizojë se pse dhe si shqiptarët në këto troje 100 vite po jetojnë me mentalitetin e të robëruarit? Therrat e motos përça e sundo, tek ne kanë mbi 100 vite që po mbijnë akoma, sepse kanë gjet tokë pjellore, më pjellore nuk mund ta bënin as “sunduesit tanë” edhe po të donim.
Duke parë vetët tona nga prizmi i majmunit, që po serviret nëpër rrjetet sociale këto ditë, dalë ngadalë po krijohet përshtypja se ne që moti paskemi qenë të gatshëm të hamë njëri tjetrin, mjafton që të na motivojë zbutësi i majmunëve nga Beogradi e të na bind që neve të na duket vetja ujqër. Dhe po, nga ajo që shihet, nuk mund të dallojmë a na duket apo ne vërtetë po e hamë njëri tjetrin. Moment vërtetë kritik, kur të gjithë duhet t’ia vëmë gishtin kokës e të pyesim veten tonë, të mbështetemi tek urtësia jonë, tek tradita jonë, sepse jemi duke prekur kufirin e degjenerimit.
Tani në një kohë kur kriza politike po thellohet gjithnjë e më shumë, si pasojë e dështimit të bisedimeve në Përzhino dhe njëherit të menaxhimit nacionalist të dy partive tradicionale maqedonase, shqiptarët po nxjerrin sytë e njëri tjetrit, për tua lehtësuar fajtorëve të vërtetë, atyre që e sollën vendin në këtë derexhe. Gjatë tërë viteve të “tranzicionit demokratik” shqiptarët janë përdorur si monedhë për kusur për larjen e hesapeve politike mes këtyre partive. Rasti i Bit Pazarit, Gostivarit, Shkupit, Kalasë, Sopotit, Liqenit të Smillkovcit, janë dëshmi e gjallë për këtë.
Zoki i shkinës, edhe pse një gjysmë gazetar e gjysmë agjent, me shkollim e edukim sipërfaqësor, fillimisht shpif duke përdorur të gjitha marifetet 100 vjeçare sunduese, për krerët që udhëhoqën luftën e 2001 e që sollën shpresën e shqiptarëve në Maqedoni, e më pas për Kreun e Komunitetit fetar Musliman, që gjithmonë ishte zëri më i lartë i arsyes dhe kundër diskriminimit, me të vetmin qëllim që të luajë me ndjenjat tona dhe të na përçajë.
Edhe pse që të gjithë si komb në Maqedoni kemi filluar të krenohemi se po na dalin gjenerata të shkolluara, të edukuara, sërish mbetemi në nivelin e majmunëve qofshim edhe me diplomë, përderisa lejojmë që dikush tjetër të kontrollojë ndjenjat tona, fillimisht ato njerëzore e pastaj ato shtazarake, e të luajë me to si ti dojë qejfi. Ne po ia lejojmë këtë gjë, duke sha njëri tjetrin dhe duke e “ledhatuar” shkaun e shkinës.
Nga ana tjetër, motivet e këtij zbutësi majmunësh, janë më se të qarta, mercenar gazetaresk – kush paguan për të shkruan, shantazhues (reket) – kush nuk paguan, shkruan kundër tij dhe mashtrues – nuk gjen mënyrën e mjetet që të bëjë famë, pikërisht në pikën më nevralgjike tonën duke na bërë pikë e pesë mes veti, e duke na paraqitur para botës si majmunë të vërtetë.
A ne, mjafton qe ti besojmë bananes që ai na e ka hedhur.