Një muaj e gjysmë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, partitë politike tanimë kanë filluar fushatën e parakohshme. Nga liderët partiak e deri te kandidatët e përfolur për kryetarë komunash, dalin thuajse për çdo ditë në terren me arsyetime nga më të ndryshmet.
Partitë në pushtet shfrytëzojnë aktivitetet institucionale për të përcjellur edhe porosi politike, ndërsa partitë në opozitë kanë filluar takimet e drejtëpërdrejta me elektoratin në forma nga më të ndryshmet. Ristrukturimi i nëndegëve, përgaditjet parazgjedhore, pikniqe dhe takime të formave të ndryshme janë shpeshtuar veçanërisht ditëve të fundit.
Paralelisht me këto aktivitete, partitë zhvillojnë edhe konsultat e fundit për zgjedhjen e kandidatëve me të cilët do të garojnë për kryetarë dhe këshillat komunal. Partitë opozitare pritet të dalin me emra të rinj, ndërsa partitë në pushtet ka shumë gjasa të garojnë me bartësit e funksioneve partiake dhe të atyre në pushtetin ekzekutiv.
Në kampin politik maqedonas beteja kryesore do të zhvillohet në kryeqytet ku VMRO-DPMNE pritet të garojë me kryetarin actual, Koce Trajanovskin, ndërsa LSDM sipas burimeve jo zyrtare më shumë gjasa ka të nominojë deputetin Petre Shilegov.
Partitë shqiptare në këto zgjedhje duket që janë të përqëndruara në të gjitha qytetet pasi në të gjitha hyjnë me gjasa të barabarta dhe në to fituesi pritet të përcaktohet në rrethin e dytë. BDI në komunat kryesore ka vendosur që të garojë me kryetarët actual. Pas Fatmir Deharit në Kërçovë, kjo parti sot ka zyrtarizuar edhe rikandidimin e Nevzat Bejtës në Komunën e Gostivarit. Burime partiake gjithnjë e më shumë flasin edhe për rikandidimin e Teuta Arifit në Tetovë edhe pse në këtë komunë ka edhe kundërkandidat të tjerë.
Në Komunën e Çairit, flitet se BDI do të kandidojë zëvendës ministrin e arsimit Visar Ganiu. Partitë e tjera shqiptare ende nuk kanë bërë publike emrat e kandidatëve, ndërsa mësohet se në të gjitha komunat ka disa emra për të cilët diskutojnë organet partiake dhe degët e tyre.
Por, afatet për zgjedhjen dhe zyrtarizimin e kandidaturave ngushtohen gjithnjë e më shumë. Vetëm 12 ditë kanë ngelur deri në afatin e fundit për dorëzimin e listave në komisionet komunale zgjedhore. Më 9 shtator përfundon edhe afati për kontrollin public të listës së votuesve. Aktualisht rrjedh edhe afati për grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur e që do të përfundojë më 4 shtator.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor pritet që gjatë ditëve në vazhdim të dalë me të dhëna të sakta për kontrollin e deritanishëm të listës së votuesve dhe kandidatët e pavarur që kanë shprehur interesim për të garuar në zgjedhjet e 15 tetorit. Fushata Zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale fillon më 25 shtator dhe përfundon më 13 tetor në orën 24. Ndërkaq, fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor 2017 në orën 24. Ndërkohë që zgjedhjet e rrethit të dytë mbahen më 29 tetor. Arben Zeqiri /SHENJA/
Fillon fushata e parakohshme, ngushtohen afatet… by tvshenjaofficial

