Pas më shumë se një viti nga seanca e parë gjyqësore për gjykimin për lëndën “Talir”, e cila ka të bëjë me financimin joligjor të partisë VMRO-DPMNE, sot në Gjykatën penale në Shkup palët mbajtën fjalime hyrëse.
Rast, për shkak të ndryshimit të përbërjes së këshillit gjyqësor filloi nga fillimi dhe e udhëheq gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja, Lençe Ristevska.
Në fjalën hyrëse, prokurorja Ristevska tha se do të dëshmohen se si të akuzuarit kanë ndërmarrë një sërë aktivitetesh për financimin e partisë politike VMRO-DPMNE, që është në kundërshtim me dispozitat ligjore për financimin e partive politike, e me këtë kanë realizuar përparësi financiare prej rreth 4,6 milionë euro në krahasim me partitë tjera.
Mbrojtja e të akuzuarit Nikolla Gruevski, në fjalën hyrëse tha se do të dëshmojnë se i akuzuari Gruevski nuk e ka keqpërdorur pozitën e tij dhe nuk ka realizuar dobi kundërligjore financiare, e këtë do të dëshmojnë, siç thanë, me faktin se partia VMRO-DPMNE ka numër të madh simpatizantësh dhe përkrahës, të cilët e financojnë në pajtim me ligjin për financim të partive politike.
Seanca e parë për rastin “Talir” u zhvillua me 18 shkurt të vitit 2020. Në rastin janë të akuzuar Nikolla Gruevski, Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakievski, të cilët ngarkohen për “keqpërdorim të autorizimeve dhe pozitës zyrtare” dhe “pastrim parash”, si dhe Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska, të akuzuar për veprën penale “pastrim parash”. Çingarovska e pranoi fajin dhe arriti marrëveshje me prokurorinë, me ç’rast u dënua dy vjet me kusht.
Për veprën e njëjtë, si subjekt juridik me akuzë u përfshi edhe VMRO-DPMNE-ja.



