Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, në një intervistë për emisionin “Tema e ditës” në televizionin Sitel, paralajmëroi se shtylla e dytë pensionale është vënë në rrezik dhe se pushteti po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes në fondet që qytetarët ndajnë për pensionet e tyre të ardhshme.
Filipçe rikujtoi se gjatë qeverisjes së LSDM-së, sistemi pensional menaxhohej me përgjegjësi dhe zbatohej një metodologji nëpërmjet së cilës pensionistët e dinin paraprakisht se sa do t’u rriteshin pensionet.
“Fondi Pensional menaxhohej mirë. U vendos një metodologji për rritjen e pensioneve dhe pensionistët e dinin saktësisht se sa do t’u rritej pensioni, sepse kjo ishte e lidhur me shpenzimet e jetesës dhe pagën mesatare”, deklaroi Filipçe.
Ai paralajmëroi se pushteti aktual po hap një çështje që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e pensionistëve të ardhshëm. Sipas tij, po shqyrtohet mundësia e marrjes së mjeteve nga shtylla e dytë pensionale.
“Çfarë po ndodh tani? Shtylla e dytë pensionale është vënë në rrezik. Duan t’i marrin paratë. Ky pushtet po përpiqet ta bëjë këtë – t’i marrë paratë që qytetarët i paguajnë për të pasur pensione të sigurta. Pikërisht këtë po paralajmërojnë. Madje, është formuar një grup pune për ta vlerësuar këtë mundësi. Duan t’i marrin paratë nga të cilat pensionistët e ardhshëm do t’i marrin pensionet e tyre. Kjo po shqyrtohet në Qeveri”, tha Filipçe.
Ai theksoi se pensionistët nuk i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme përllogaritjet e kryeministrit për rritjen e pensioneve.
“Deklarata e fundit që dëgjuam nga Mickoski ishte se pensionet qenkan rritur për 325 për qind më shumë, më mirë apo sido që ta ketë formuluar, krahasuar me periudhën e qeverisjes së Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Vallë, ai mendon se pensionistët janë naivë?”, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, krahas pasigurisë rreth sistemit pensional, qytetarët po përballen edhe me rënie të standardit të jetesës, çmime të larta dhe mungesë të ndihmës konkrete nga Qeveria.
“Nuk japin rezultate në asnjë fushë. Nuk kanë bërë asgjë për ekonominë dhe standardin e qytetarëve. Standardi jetësor po bie, pagat nuk po rriten, ndërsa çmimet kanë arritur kulmin. Njerëzit nuk mund të mbijetojnë”, përfundoi Filipçe.



