Personalisht e ndërmarr përgjegjësinë e plotë dhe e ndërmarr tërë barrën, madje edhe me çmimin e karrierës sime politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese dhe për të hapur kapitujt e negociatave me BE-në dhe nëse Qeveria mendon se mund ta shfrytëzojë këtë, jam në dispozicion, tha për MIA-n, lideri i LSDM-së Venko Filipçe në Bruksel, ku sot mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Programi “Uili Brant” për zgjerimin e BE-së të Aleancës progresive të socialistëve dhe demokratëve.
“Sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë të përparojnë vendet fqinje, aq më e vështirë do të jetë për ne që t’i arrijmë në periudhën e ardhshme. Lidhja Socialdemokrate në çdo moment, në çfarëdo forme që Qeveria do ta arrijë në pajtim me premtimin e tyre, të cilin tani padyshim e shohim se do të jetë një nga premtimet që nuk do ta realizojnë, e ai është t’i përmirësojë pozitat tona në pjesën e pozitës negociuese me Bashkimin Evropian, ne do ta mbështesim atë plan”, theksoi Filipçe.
Ai shtoi se LSDM do të jetë gjithmonë aty për t’i mbështetur të gjitha proceset që nënkuptojnë zhvillimin e vendit dhe një jetë më të mirë dhe më cilësore për qytetarët.
“Ne mund të diskutojmë disa zgjidhje ad hok, por të gjitha ato zgjidhje janë afatshkurta. Progresi real, rezultatet reale, atë çka duan të shohin qytetarët, bazohen në përforcimin e gjyqësorit, ngritjen e standardit, pra me një luftë serioze kundër korrupsionit në vendin tonë, fuqizimin e segmenteve, si sociale, ashtu edhe arsimore dhe shëndetësore – në fakt këto janë kërkesat e qytetarëve. Dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes procesit të integrimeve evropiane”, theksoi lideri i LSDM-së.
Filipçe theksoi se duke parë se me çfarë sfidash ballafaqohet Ballkani Perëndimor, Grupi i socialistëve dhe demokratëve, respektivisht partive simotra të LSDM-së, organizon manifestimin e sotëm në Bruksel për t’u dhënë një përkrahje e veçantë nga partitë socialiste dhe demokratike në Evropë për partitë simotra në rajon, që të përshpejtohet apo përforcohet rruga e integrimit evropian.
“Fatkeqësisht, ndjenja kur ulemi në takime të tilla është një frustracion i madh. Ne shohim se si vendet në fqinjësi tregojnë dhe shpjegojnë se si po përparojnë. E shohim se çfarë po bën Shqipëria, me të cilën deri para disa muajsh ecnim paralelisht në rrugën evropiane dhe tani kanë një plan konkret që deri në Krishtlindje të vitit 2027 t’i përfundojnë negociatat dhe të bëhen anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. E shihni se si një punë intensive e çon vendin përpara”, tha Filipçe.
Sipas tij, ne tani nuk mund të mburremi me asgjë dhe jemi të ngujuar në një vend, ndërsa Qeveria aktuale “nuk ka idenë, as dëshirën për të bërë një hap përpara në drejtim të integrimit evropian”.
“Është e qartë se çka duhet bërë. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen. Megjithatë, këtu askush nuk u beson fjalëve të ëmbla të përfaqësuesve të Qeverisë. Të gjithë e kanë të qartë se Maqedonia nuk mund të shkojë me këtë Qeveri. Thjesht nuk ka kurrfarë dëshire, as ide, as plan”, shtoi Filipçe.