Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka shpërndarë në rrjetin social X një deklaratë të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, i cili kritikoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se ai ka marrë rolin e “PR-it të Rusisë”.
Filipçe tha se Spajiq ka shprehur publikisht atë që, sipas tij, në Maqedoninë e Veriut e thonë prej kohësh.
“Ndërhyrja e Aleksandar Vuçiqit nuk është problem lokal, por problem rajonal. Përmes VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit, i njëjti model po zbatohet edhe këtu – përmbushja e agjendave të të tjerëve që janë drejtpërdrejt në kundërshtim me vlerat dhe interesat evropiane”, ka shkruar Filipçe.
Ai shtoi se bëhet fjalë për një përpjekje për ta mbajtur rajonin, dhe veçanërisht Maqedoninë e Veriut, në një “zonë gri” mes Evropës dhe Rusisë.
“Problemi është me ata që një ditë flasin për Evropën, ndërsa të nesërmen zbatojnë agjendën e Beogradit dhe Moskës. Mali i Zi e tha me zë të lartë. Është koha që qytetarët e Maqedonisë ta kuptojnë qartë këtë”, ka deklaruar Filipçe.
Ndërkohë, kryeministri malazez Milojko Spajiq ka thënë se Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë, por marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një politikë të qartë evropiane.
Duke iu referuar Vuçiqit, Spajiq ka shkruar se presidenti serb “nuk dëshiron ta kuptojë” këtë politikë, ndërsa e ka kritikuar edhe për qëndrimin ndaj Rusisë.
“Nuk është e përshtatshme që nga pozita që mban të marrë rolin e ‘PR-it të Rusisë’ dhe t’u mbajë të tjerëve leksione për parimësi”, ka shkruar Spajiq.
Kryeministri malazez ka ngritur gjithashtu çështjen e armëve që përfundojnë në Ukrainë.
MARKETING


