Ndërsa 500.000 dozat e vaksinës kineze si dhe ato të Pfizer pritet të mbërrijnë javën e ardhshme në vend, numri i qytetarëve të interesuar për vaksinim nuk ka shënuar rritje të dukshme. Për momentin për vaksinim presin 180 mijë qytetarë. Ministri i Shëndetësisë Filipçe paralajmëroi fushatë intensive si dhe vaksinim në terren në zonat ku interesimi për vaksinimin është i ulët.
– Advertisements –
Mendoj se për një kohë të shpejtë do të vaksinohen të gjithë 180.000 qytetarët e paraqitur. Shfrytëzoj rastin të bëj apel deri te të gjithë qytetarët të paraqiten në faqen e internetit. Ajo është mënyra më e lehtë dhe më e thjeshtë si të arrihet deri në vaksinë. Mendojmë për një plan për fushatë intensive për thirrje të qytetarëve për t’u paraqitur për vaksinim dhe plani i dytë ka të bëjë me vaksinim në terren aty ku do e shohim se ka numër të pamjaftueshëm të qytetarëve të interesuar për vaksinim – tha Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.
Një pjesë e qytetarë të anketuar nga ALSAT thonë se nuk janë paraqitur deri më tani pikërisht për shkak të mungesës së vaksinave.
“Jo, nuk jam paraqit për vaksinë sepse nuk ka vaksina. Kur do ketë numër të mjaftueshëm atëherë do paraqitem të mos jemi vetëm statistikë”.
“Nuk ka mjaftueshëm vaksina, presim të vijnë vaksinat dhe të paraqitemi. Sa të arrijnë vaksinat do paraqitemi”.
“Jo, nuk jam paraqit për vaksinë, kam kohë”.
Derisa disa të tjerë janë paraqitur dhe presin të imunizohen.
“Po jam paraqit për vaksinim. Para një muaji e gjysmë, por s’ka ende përgjigje”.
“Po jam paraqit prej para një muaji e gjysmë, presim, nëse na thërrasin do shkojmë të vaksinohemi. Mendoj se nuk ka vaksina, se sikur të kishte do na kishin thirrë”.
Ndërkohë të vaksinuarit e anketuar rekomandojnë që të gjithë qytetarët të vaksinohen.
“Iu kisha rekomandu të gjithëve që të regjistrohen dhe ta marrin vaksinën se ka sukses”.
Ministri Filipçe beson se deri në fund të verës do të arrihet imuniteti kolektiv, ku pritet 70% e qytetarëve të jenë të vaksinuar me dy doza.
Vjollca Aliti



