Kryetari i Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, Venko Filipçe, ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski për dështim në menaxhimin e ekonomisë, duke theksuar rënie drastike të investimeve të huaja direkte gjatë vitit të fundit.
Sipas Filipçes, në vitin 2024, gjatë qeverisjes së LSDM-së, investimet e huaja direkte arritën nivel rekord prej 1.255 miliardë euro, më i larti në historinë e vendit. Ndërkohë, një vit më pas, nën drejtimin e Mickoskit, ato kanë rënë në vetëm 467.5 milionë euro, që sipas tij përfaqëson një ulje prej mbi 60 për qind.
Ai thekson se mungojnë investimet e reja të mëdha dhe projektet “greenfield”, duke shtuar se aktualisht dominojnë vetëm investime të nisura gjatë periudhës së mëparshme qeverisëse, të cilat janë në rënie.
Filipçe ka kritikuar edhe deklaratat e kryeministrit për, siç është shprehur ai, “ekonominë e tretë në Evropë”, duke i cilësuar ato si të pabazuara në realitet. Sipas tij, gjendja ekonomike reflektohet më së miri në standardin jetësor të qytetarëve.
Në reagimin e tij, lideri i LSDM-së ka akuzuar qeverinë për klimë të pafavorshme për investitorët, duke pretenduar se perceptimi për korrupsion dhe keqqeverisje po ndikon negativisht në tërheqjen e kapitalit të huaj.


