Metin Izeti
Kuptimi i vërtetë dhe i plotë i një ideje në të shumtën e rasteve vërshon mbi shtresën e parë të arsyes. Edhe pse disa herë gjërat na duken si të qarta, megjithatë në brendi ndiejmë se në këtë qartësi nuk bëhet fjalë për tërësinë dhe rrethin e përkryer. Herë pas here qartësia sipërfaqësore e idesë është shenjë për moskuptimin e saj. Një ide e vërtetë ka mundësi të kuptohet në shkallë dhe trajta të ndryshme, varësisht nga modalitetet e panumërta të cilat qëndrojnë përballë pasqyrimeve të realitetit. Një vështrim i tillë ndaj idesë na kthen në sendërtimin dimensional të perceptimit dhe kuptimit të vërtetë të fesë.
Feja është koncept thelbësor në kornizat e shpalljes hyjnore dhe përcjelljes profetike. Tradita konstituive e Islamit, e njëkohësisht edhe e feve tjera qiellore, fenë e quan dhuratë të jashtëzakonshme hyjnore, dobiprurëse dhe liridhënëse. Feja është sistem hyjnor i cili njerëzve të arsyeshëm u mundëson t’i kahëzojnë ndjenjat e tyre dhe të bëjnë vepra të mira. Ajo është pjesë përbërëse e personalitetit të njeriut. Pa të njeriu i ka të gjymtë imagjinatën dhe kuptimin.
Duke e përfaqësuar themelin e jetës kuptimore të njeriut dhe shoqërisë, feja është tejet funksionale në aspektet sociale dhe psikologjike të jetës. Pikërisht për këtë edhe paraqet një dukuri e cila nuk mund të lihet pas dore. Historia, në çdo epokë, flet për marrëdhëniet e ngushta mes fesë, njeriut dhe shoqërisë. Dukuria e fesë ka ekzistuar në çdo shoqëri njerëzore dhe dukshëm ka ndikuar në formimin dhe ndryshimin e sistemeve mendore dhe shoqërore. Pikërisht për këtë edhe u tregua si i pabazë dhe joreal pohimi se me zhvllimin e shkencave pozitive do të mënjanohet nevoja për fetë tradicionale dhe se njerëzit do ta margjinalizojnë idenë fetare. Një situatë e ngjashme është duke u përjetuar edhe me globalizimin dhe sfidat që njerëzimi është duke i përjetuar me të.
Periudha në të cilën gjendemi është arenë e “përparimit dhe zhvillimit” të madh të njeriut, e cila me vete sjell edhe ndryshime rrënjësore të të menduarit dhe të konceptuarit të dukurive. Veçanërisht shoqëritë tradicionale në zhvillim, si vëzhguese të zhvillimeve shkencore dhe teknologjike, industrializimit, jetës qytetare, proçeseve të reja edukativo-arsimore dhe zhvillimit marramendës të mjeteve kontaktuese mes njerëzve, janë duke përjetuar një psikozë dhe dridhje të hutuar dhe pa vetëdije marrin forma të ndryshme të sjelljes, të cilat në esencë paraqesin servilitet e assesi partneritet. E gjithë kjo katrahurë ndikoi edhe në fenë si epiqendër e jetës shoqërore dhe psikologjike të njeriut. Feja si faktor me rëndësi në ndryshimet shoqërore nëpërmjet vlerave të besimit dhe atyre etike ka mundësi të ndikojë në efikasitetin dhe paqën e shoqërisë, por në anën tjetër mund të ndikojë edhe në ngadalësimin e ndryshimeve dhe zhvillimeve shoqërore si dhe në krijimin e dinamikës së përleshjeve. Pikërisht për këtë ëshët tejet e rëndësishme që feja të përkapet drejt dhe si një tërësi e cila do ta përqafojë njeriun dhe shoqërinë realisht, do të vendosë baraspeshën, do të nxisë ndjekjen reale të ndryshimeve. Karakteri i natyrshëm dhe universal i fesë e aktualizon edhe transcendencën e burimit të saj, me qenë se Ai që e krijoi njeriun më së miri e njeh natyrshmërinë e tij si objekt të cilit i kushtohet feja. Për pasojë, feja që do të jetë në baraspeshë me natyrshmërinë e njeriut duhet ta ketë edhe përmasën reale imanente ose brendahistorike, e cila do të jetë moshatare e njeriut.
Tipologjia kur’anore njeriun e cilëson si krijesë që nuk është krijuar pa qëllim ; me hedhjen e hapave të para si krijesë më e përsosur ka filluar edhe përgjegjësia dhe sprova e tij . Nga ky vështrim feja parësore e njeriut “ka qenë” (është) feja e natyrshme e bazuar në njëshmërinë e cila gjatë tërë historisë është mbështetur me inkuadrimin hyjnor për të mbetur e pastër nga devijimet.
Feja e shpalluar nga Allahu xh.sh. në të gjitha periudhat e jetës së njeriut në këtë botë ka qenë e njëjta, mirëpo për shkak të disa faktorëve marrëdhëniet e njeriut me të nuk kanë qenë në raport të drejtë, të vërtetat fetare jo gjithherë janë perceptuar dhe sqaruar drejtë dhe si pasojë e kësaj, siç përmend edhe Kur’ani, një pjesë e njerëzve edhe pas zbulimit të së vërtetës hyjnore kanë devijuar. Fraksionalizimi i cili u shfaq në periudhat para Muhammedit a.s., zgjati edhe në periudhën pas paraqitjes së tij. Diskutimet dhe mosmarrëveshjet shterpe, polarizimet dhe përleshjet e pakuptimta të udhëhequra nga qasjet ndijore dhe ideologjike dhe larg racionalizimit dhe dijes së vërtetë të udhëhequr nga realiteti revelues, e kanë harxhuar energjinë e brendshme të shoqërisë muslimane dhe dukshëm e kanë ngadalësuar hapërimin e muslimanëve me kohën dhe zhvillimet e Traditës perenniale hyjnore. Si pasojë e mosvendosjes së raportit të drejtë mes njeriut, shoqërisë dhe shpalljes, njerëzimi përjetoi dhe vazhdon të përjetojë trauma të prirjeve ekstreme materialiste në njërën anë si dhe atyre spiritualiste në anën tjetër. Krahas margjinalizimit të fesë nga idetë materialiste, shoqëria njerëzore ballafaqohet edhe me materializimin e shpirtit, ose me pafetarësinë e ideve spirituale, deri në atë masë sa që feja tregohet si mjet nëpërmjet të cilit do të sendërtohet projekti i përplasjes së qytetërimeve.
REALITETI FETAR DHE SHQIPTARËT
Deri vonë e tërë bota islame, së bashku me të, edhe shqiptarët kanë qenë të përballur me rrezikune e mbijetesës fizike të tyre përballë armiqëve të ndryshëm të cilët përmes gjenocidëve, etnocidëve dhe kulturocidëve janë përpjekur që t’I zhdukin në tërësi. Ndërsa kohëve të fundit muslimanët, por e dhe shqiptarët që në përqindje të madhe I takojnë fesë islame , janë të përballur me ankthin e mënyrës së përkushtimit të vërtetë fetar të shpëtuar nga vrasjet dhe sharjet e fyerjet e tjetrit, që në realitet, nuk përkojnë fare me fenë por janë sëmundje të periudhës moderne.
Ka një kohë të gjatë që mjedisi fetar dhe filozofik shqiptar , por ai i nënqiellit musliman në veçanti, është i zbrazur nga diskutimet në lidhje me qenien e njeriut, vetminë ekzistenciale dhe shoqërore të tij, humnerën në të cilën e ka tërhequr mendësia dhe koncepti qytetërimor i përqëndruar në teknologjinë dhe kapitalizmin e avancuar. Pothuajse në mbarë botën, zërat e mendimtarëve që mund të konsiderohen si melhem për plagët kuptimore dhe lëndore të gjinisë njerëzore shtypen nga ana e mendësisë së kabaresë dhe shthurjes duke i prezantuar edhe ata më të lartat nëpërmjet kulturës së stand up’it.
Cekëtia dhe shthurja kulturore është në lidhshmëri të ngushtë me marrëdhiniet e tregut. Paradoksi më i madh përjetohet atëherë kur kapitalizmi global, duke u përpjekur që të hapë tregje të reja për veten, nga dy anë ushqen relativizmin radikal të mbështetur në diskursin postmodernist “çdo gjë shkon”, cekëtinë dhe njëtrajtshmërinë. Edhe pse jo çdoherë e shpreh me qartësi të njëjtë, shpirti postmodernist nuk ka ndonjë brengë dhe parim të caktuar në relacion me të vërtetën; ideja “çdo gjë është sipas fantazive tona” realizon në trajtë të diskursit atë që kapitalizmi praktikisht e bën dhe e rrënon thellësinë kulturore dhe rezistencën ndaj kolonializmit konsumues. Ndërsa nga ana tjetër si antitezë të kësaj shthurjeje e paraqet varfërinë kulturore fetare dhe arrogancën fetare e cila shpesh fillon me thyerjen e zemrave të njerëzve dhe vazhdon deri në vrasjen e njerëzve për shkak të mendimit ndryshe.
Muslimani shqiptar për shkak të mosfunksionimit real të institucioneve e ka humbur imagjinatën qytetimndërtuese të fesë dhe atë përpiqet ta plotësojë me arrogancën fetare e cila gjithnjë me pa të drejtë referencat i merr prej Kur’anit dhe sunnetit të Pejgamberit a.s.. Ndërsa nëse edhe sipërfaqësisht i analizoni këta dy burime esenciale, pa të cilat nuk ka fetari reale, dhe jetën e të Dërguarit nuk do të mund të gjeni as edhe një rast të shthurjes, arrogancës, pakulturës dhe mos të diskutojmë të vrasjeve e eliminimeve për shkak të ,memdimit ndryshe. Letërsia fetare është përplot me shembuj të qytetërimit dhe kulturës së mëshirës të paraqitur në gjenin empirik të pasqyrimit shoqëror të fesë, mirë ama, në të shumtën e rasteve në nënqiellin tonë, kohëve të fundit, paraqitet në trajtë të maskës së fetarisë. Feja nuk e duron renën dhe mashtrimin, ajo e ka burim sinqeritin, është sinqeritet dhe kërkon sinqeritet.
Relacionet midis shoqërisë dhe fesë vetëm nga aspekti i sigurisë kanë ndikuar në krijimin e koncepteve të “un”‘it dhe “tjetri”’t të mbrapshta dhe me të meta. Njerëzit që deri dje janë konsideruar patriotë janë shndërruar në tradhtarë dhe kundërshtarë!!! I përdora këta dy terme vetëm për ta shprehur një realitet edhe pse etiketat megalomane të patriotit dhe kundërshtarit në shoqëritë shqiptare janë shndërruar në mekanizma mbrojtëse të njerëzve më të ligë dhe më të pashpirtë.
Myslimanët, në këtë rast edhe myslimanët shqiptarë, e kanë doemos të rebelohen kundër cekëtisë kulturore të ndikuar nga globalizmi që bashkohet me historinë e modernizmit të mbrapshtë dhe si pasojë paraqitet një tabllo rrëqethëse e botëkuptimit fetar me esencë në incidentin. Fetaria shqiptare përmes kulturës së paparazive ka përjetuar një cekëtinë kulturore të thellë dhe si pasojë pashmangshmërisht duhet të transferohet në paradigmë të re në politikat identitare dhe kulturore. E kemi patjetër të ndërtojmë kulturë fetare. Kultura nuk është aktivitet i zbulimit. Nuk mund të ndërtoni kulturë vetëm nëse thoni se unë prodhoj kulturë. Kultura, nga vetë rrënja etimologjike, është veprim i “mbjelljes-korrjes”, i kultivimit.
ÇKA DUHET BËRË…?
Islami nuk është ideologji politike, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të jetë mospërfillës ndaj ngjarjeve që ndodhin sot. Ai në brendi pandërprerë e ndien zërin e Fjalës Hyjnore, e cila garanton sigurinë e paqes dhe të qytetërimit. Inkuadrimi i Islamit në qarqet botërore, por edhe ato shqiptare, duhet të jetë konstruktiv dhe ndërtues, siç ishte edhe metoda e Muhammedit a.s., e assesi shkatërrues dhe rrënues. Është tejet e rëndësishme që të bëhet dallim mes porosisë universale islame dhe disa pasqyrimeve tradicionale dhe lokale. Imperativet kur’anore për mirësjelljen , drejtësinë , sinqeritetin , faljen dhe mëshirën , veprat e mira , parapëlqimin e drejtësisë dhe durimit , paqen , kanë ndikuar që muslimanët të jenë më të suksesshëm në situata paqësore sesa luftarake , sepse në periudhën e paqes mënjanohen pengesat që inkuadrohen në mesin e përfaqësimit të Islamit dhe arsyes; emocionet dhe urrejtja vendin ia lenë vetëdijes dhe mençurisë. Ndjekja e traditës profetike nuk duhet kuptuar vetëm si formë e ngurrtë dhe norma të palëvizshme, përkundrazi si një ngjarje e cila është e hapur për ripasqyrim dhe e bart në praktikë frymën dhe bërthamën kur’anore.
Ka tre detyrime të rëndësishme, pa të cilat njeriu nuk mund ta ruajë baraspeshën në këtë botë, me plotë të drejtë pohon Adler. Ato e krijojnë realitetin dhe mbi bazën e tyre ngrihen çështjet me të cilat përballet njeriu. Pandërprerë jemi të detyruar të merremi me to, sepse ato vazhdimisht na vërsulen neve.
Detyrimi i parë është se jetojmë mbi sipërfaqen e Tokës, e jo diku tjetër. Duhet të jetojmë me burimet dhe kufizimet e tokës në mënyrën më të mirë të mundshme. Që të mund të mbijetojmë duhet ta zhvillojmë trupin dhe mendjen dhe të kontribuojmë për mbarëvajtjen e njerëzimit. Ky është një problem i pashmangshëm që sfidon këdo, sfidon edhe religjionin dhe ithtarët e tij. Çkado që të bëjmë, ajo do të ishte një përgjigje ndaj situatave të ndryshme të jetës. Pikërisht për këtë çdo përgjigje duhet të marrë parasysh se ne jemi anëtarë të racës njerëzore dhe që thirrja kur’anore prej nesh kërkon që pozitivisht të mendojmë për rendin në këtë planetë të vogël, brendakohor dhe hapësinor, nëse dëshirojmë ta përfitojmë lumturinë e amshueshmërisë. Përgjigjet për sfidat duhet të jenë largpamëse dhe koherente, për të mirën e jetës tonë dhe të mbarëvajtjes së jetës së njerëzimit. Për më tepër, duhet të përpiqemi vazhdimisht për të gjetur një përgjigje më të mirë dhe të gjitha përgjigjet duhet të marrin parasysh se ne jemi të kësaj toke, me të gjitha avantazhet dhe disavantazhet që kërkon pozicioni ynë.
Detyrimi i dytë prej nesh kërkon të kuptojmë se ne nuk jemi të vetmit anëtarë të racës njerëzore; ka të tjerë përreth nesh dhe ne ekzistojmë në lidhje me ta. Kontributi më i madh për një mirëqenie individuale dhe atë të njerëzimit është shoqëria. Prandaj, çdo përgjigje për problemet e jetës duhet marrë parasysh këtë kërkesë; ajo duhet të formulohet në dritën e faktit që ne jetojmë në shoqëri me njerëzit e tjerë.
Detyrimi i tretë është se ne jemi të krijuar në dy gjini. Ruajtja e individit dhe qenies njerëzore kërkon që të merret parasysh edhe ky fakt
Përkapja dhe përfaqësimi fetar si dukuri që kanë të bëjnë me planetin e tokës, me gjininë njerëzore dhe me mashkullin e femrën gjithsesi duhet t’i kenë parasysh këto detyrime të llojit njerëzor. Në të kundërtën, paraqitet disharmoni në mendimet dhe sjelljet. “As dora as këmba”, thotë Marco Aurelio, “nuk kryejnë një punë në kundërshtim me natyrën, përderisa këmba kryen detyrën e këmbës dhe dora detyrën e duarve. Po kështu, pra edhe për njeriun si i tillë puna nuk është në kundërshtim me natyrën, përderisa ai kryen veprimtari që i përshtaten njeriut. E nëse për atë nuk është në kundërshtim me natyrën, atëherë nuk është as e dëmshme”.
Sistemi metafizik i Islamit mundëson një kënaqësi, e cila formulohet në organizimin e brendshëm shpirtëror dhe e cila përfaqësohet nëpërmjet një paraqitjeje logjikisht të rrumbullakësuar. E njëjta harmoninë e ka në esencë dhe gjithnjë është e trajtës më të lartë estetike; ajo ka rrjedhën e njëjtë si edhe kënaqja; është transcendente dhe tejet e freskët; ajo e formëson dhe e bën të dukshëm ndërlikimin e jetës. E vërteta dhe e bukura gjithsesi duhet të jenë në marrëdhënie të nduarnduartë; në të gjitha aspektet ku ato futen të ndara, që të dyja ngelin si vlera skeptike. Bukuria që me vete nuk e ka të vërtetën, gjegjësisht shpalljen, e cila nuk ka guxim të thirret në të vërtetën, e cila nuk do të jetonte në bazat dhe nga ndihma e saj, do të ishte një humnerë boshe.