Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai mbrëmë takoi mërgatën shqiptare në Vjenë të Austrisë, e cila çdoherë është e përkushtuar për fatet e atdheut si pjesë më vitale e kombit.
Në takim u theksua roli dhe kontributi i pazëvendësueshëm i mërgatës për lëvizjet çlirimtare dhe si shtyllë e fortë për zhvillimin ekonomik të trojeve etnike.
Zëvendëskryeministri Fetai u zotua se qeveria e re do të punojë shumë për të forcuar lidhjet me mërgatën dhe për të siguruar se zëri i tyre të dëgjohet dhe të respektohet. “Ata janë jo vetëm ambasadorët më të mirë të kombit tonë në botë, por edhe një burim i pashtershëm i forcës dhe vizionit për të ardhmen”, shkruan Fetai në llogarinë e tij të Fejsbukut.
Gjatë takimit Fetai me vëmendje dëgjoi hallet, shqetësimet dhe kërkesat e mërgimtarëve dhe folën për nevojën për një trajtim më dinjitoz nga ana e institucioneve shtetërore. Ai u angazhua për përkrahje më të madhe të shtetit në ruajtjen e identitetit kombëtarë përmes arsimit dhe kulturës, si dhe për ofrimin e lehtësimeve konkrete që nxisin investimet e mërgimtarëve në vendlindje.